Aktualitet Meta “hap” dyert e transferimit në Shqipëri të 1500 të burgosurve nga...

Meta “hap” dyert e transferimit në Shqipëri të 1500 të burgosurve nga Anglia

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar marrëveshjen e nënshkruar me Britaninë e Madhe për transferimin e të dënuarve shqiptarë në burgjet britanike.

Marrëveshja u nënshkrua mes dy ministrive të Drejtësisë në muajin korrik dhe ajo është e dyanshme, pra transferon në Britani edhe shtetasit britanikë të burgosur në Shqipëri.

Sipas marrëveshjes, taksa-paguesit shqiptarë do të paguajnë koston e mbajtjes në burgjet shqiptare, të 1.500 bashkëkombësve të tyre që priten të transferohet nga Britania në institucionet shqiptare të vuajtjes së dënimin. Bëhet fjalë për një marrëveshje me 5 pika mes autoriteteve të të dyja vendeve.

Nuk do të ketë lirim të parakohshëm pas transferimit. Të burgosurit do të vuajnë të plotë dënimin e dhënë në Angli në burgjet shqiptare.

Të burgosurit të transferuar i ndalohet hyrja në Britaninë e Madhe. Pala britanike do të paguajë vetëm koston e transferimit të tyre me avion.

Në terma ekonomikë, nga kjo marrëveshje përfiton Britania e Madhe, të cilës për të mbajtur 1.500 të dënuarit shqiptarë në burgjet e saj, çdo vit i duhet të shpenzojë mbi 78 milionë stërlina.

Ndërkohë shtetit shqiptar, nëse të gjithë këta të burgosur do të transferohen, çdo vit do t’i duhet të shpenzojë mbi 13 milionë euro, pasi kostoja vjetore e mbajtjes të një të burgosuri në Shqipëri, është mbi 9.000 euro.

Shqipëria renditet e para mes shteteve të huaja me numrin më të madh të shtetasve të saj në raport me numrin total të emigrantëve në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, të dënuar për vrasje, trafik droge, apo edhe për ngritje të fermave të kanabisit.