Parlamenti XXL: Bundestagu gjerman mund të ketë pas zgjedhjeve mbi 900 deputetë. Parlamenti gjerman do të jetë kësisoj dyfish më i madh se Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA.
Me 709 deputetë, Bundestagu është që tani parlamenti më i madhi në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë. Ligji parashikon 598. Numri rritet nga zgjedhja në zgjedhje. Vetëm në zgjedhjet e fundit katër vjet më parë, parlamentit iu shtuan 78 gra dhe burra. Pas zgjedhjeve të 26 shtatorit, ai mund të bëhet edhe me më shumë deputetë, numri i tyre mund të shkojë deri në 1000. Vetëm Kongresi Popullor Kinez ka më shumë përfaqësues, por Kina ka një popullsi 17-fish më të madhe në numër se Gjermania.
Arsyeja për këtë rritje kaq të lartë të numrit të deputetëve ka të bëjë me ligjin e ndërlikuar zgjedhor gjerman që ka dy lloje votash. Në Gjermani ka 299 zona elektorale me të njëjtën madhësi. Kush merr më shumë vota të drejtpërdrejta në një zonë elektorale, shkon në Berlin si deputet zgjedhur i zonës. Me votën e dytë qytetarët zgjedhin partinë. 299 vende të tjera jepen përmes votave të dyta, gjithsej 598. Dhe është numri i votave të dyta që përcakton forcën relative të secilës parti në Bundestag.
Pasojë e një padie kushtetuese
Fakti që Bundestagu tashmë ka shumë më tepër deputetë sesa është përcaktuar ligjërisht, është për shkak të të ashtuquajturve mandate shtesë (Überhangmandate): Ato jepen kur një parti në një land federal fiton më shumë mandate të drejtpërdrejta nga sa i takon përmes votave të dyta. Meqenëse, sidomos partitë e mëdha kanë shans të përfitojnë nga mandatet e drejtpërdrejta, shumica e mandateve shtesë shkojnë në favor të tyre. Në zgjedhjet e vitit 2017, për shembull, partitë e Unionit CDU dhe CSU, morën 43, nga gjithsej 46 vendet shtesë në parlament. Partitë e vogla dolën me duar bosh dhe e paditën çështjen në Gjykatën Kushtetuese Federale.
Me sukses. Gjykata Kushtetuese Federale e shpalli ligjin elektoral antikushtetues dhe bëri thirrje për reformë. Kjo hyri në fuqi në vitin 2013 dhe parashikon një mekanizëm kompensimi: Sipas këtij mekanizmi, numri i përgjithshëm i vendeve në Bundestag duhet të rritet aq, sa raporti mes forcave partiake të korrespondojë me raportin mes votave të dyta, pavarësisht nga rezultati i mandateve të drejtpërdrejta. Efekti anësor i këtij vendimi është se numri i mandateve rritet e rritet. Në vitin 2017 kishte 65 mandate kompensimi, përveç 43 mandateve shtesë.
Më shumë deputetë kushtojnë më shumë para tatimore
Kështu nuk vazhdohet, thonë përfaqësuesit e të gjitha partive të përfaqësuara në Bundestag. Ata janë të shqetësuar se në një moment Bundestagu nuk do të jetë në gjendje të punojë si duhet, për shkak të mungesës së hapësirës. Nënkryetarja e Bundestagut Claudia Roth nga të Gjelbrit pyet: “Ku të ulen gjithë këta deputetë në seancë plenare? Ku të takohen grupet parlamentare?” Ligji elektoral aktual është “një program prokurimi për mbështetës të rinj”. Drejtuesi i grupit parlamentar të liberalëve, FDP, Marco Buschmann, është gjithashtu i shqetësuar për mesazhin politik: “Si mund të reklamojë politika në mënyrë të besueshme reformat, nëse nuk reformon dot as veten përmes një ligji elektoral të përgatitur mirë?”
Shoqata e tatimpaguesve po bën presion
Shoqata e tatimpaguesve po bën presion për një përdorim ekonomik të parave të taksapaguesve. Ajo ka llogaritur se Bundestagu aktual me 709 anëtarët e tij kushton 333 milionë euro më shumë sesa po të kishte vetëm 598 deputetë, siç e parashikon ligji. Në një peticion online “I jepni fund Bundestagut XXL!”, shoqata bën thirrje që të zvogëlohet parlamenti në 500 anëtarë.
Parlamenti gjerman u vonua të bënte një reformë për zgjedhjet e 26 shtatorit, megjithëse të gjitha partitë dëshirojnë zvogëlim të Bundestagut. Edhe zyrat e reja të deputetëve, që pritet t’i shtohen parlamentit të ri, nuk do të jenë gati para viti 2022. Deri atëherë përfaqësuesit e popullit mesa duket do të punojnë nëpër kontejnerë./DW