Gjykata e Apelit në Durrësit ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj stomatologen Olesia Duka, e cila përmes mashtrimit u ka marrë disa miliona euro biznesmenëve në Durrës dhe Tiranë.
Gjykata e shkallës së parë e Durrësit e dënoi atë me 10 vjet heqje lirie, përfituar edhe nga ulja e dënimit me 1/3, pasi ka pranuar akuzat. Pas apelimit asaj iu ul dënimi me 3 vjet e 4 muaj burg.
Duka u arrestua vitin e kaluar, pas denoncimit të parë të bërë në prokurori nga pronari i një zyre këmbimi valutor dhe agjencie udhëtimi.
Nëpërmjet mashtrimit ajo ka mundur t’i marrë rreth 900 mijë euro, ndërsa të njëjtin fat patën edhe disa biznesmenë të tjerë. Ajo akuzohet se ka mashtruar të paktën 14 persona me shuma të mëdha parash, me një total prej mbi 2 milion eurosh.
Në shkurt të këtij viti asaj iu vendosën në sekuestro preventive katër apartamente në Tiranë e Durrës, si dhe një klinikë dentare në Tiranë.
Skema e mashtrimit:
Olesia Duka mashtronte persona të ndryshëm, duke iu marrë shuma të mëdha parash. Ajo mashtronte qytetarët, duke iu thënë se kishte 8 klinika dentare dhe se i duheshin paratë për të blerë aparatura apo materiale të linjës. Pasi i merrte paratë, ajo nuk i kthente më, ku vlera e mashtrimit arrin deri në 900 mijë euro.
Stomatologia kishte në fakt vetëm një klinikë në Tiranë. Personi që e ka pësuar më shumë nga mashtrimet dhe dredhitë e 39-vjeçares ka qenë biznesmeni I.H, i cili ka bërë dhe denoncimin.
Burimet nga Prokuroria thanë se stomatologia Duka ishte një person i njohur, pasi kishte marrë pjesë në disa fondacione bamirësie dhe klinika e saj në kryeqytet është ndër më të njohurat, dhe kështu ajo përdorte famën, duke krijuar lidhje me biznesmenë dhe persona të ndryshëm, të cilët më pas i mashtronte.