Jetëgjatësia në Shqipëri ka ardhur në rritje konstante në dekadat e fundit, përveç vitit pandemik 2020, i cili cenoi ndjeshëm këtë tregues prej normës jo të zakontë të mortalitetit që krijoi në popullatë.
Specifikat e jetëgjatësisë ndryshojnë ndjeshëm në qarqe, sipas INSTAT.
Në vitin 2021, qarku me jetëgjatësinë më të lartë të pritur në lindje për burra ishte ai i Kukësit, me 77,4 vjet, ndërsa qarku me treguesin më të ulët ishte ai i Gjirokastrës, me 70,0 vjet.
Në të njëjtin vit, qarku me jetëgjatësinë më të lartë të pritur në lindje për gratë ishte Tirana, me 81,6 vjet, ndërsa qarku me treguesin më të ulët ishte Gjirokastra, me 74,2 vjet.
Në vitin 2021, jetëgjatësia e pritur në lindje në Shqipëri, për të gjithë popullsinë ishte 76,5 vjet, 74,4 vjet për burrat dhe 78,7 vjet për gratë. Kjo do të thotë që gratë pritet të jetojnë afro 4 vjet më shumëse burrat.
Shqiptarët e viteve 1950 jetonin mesatarisht vetëm 54.4 vite sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërsa që nga ajo kohë deri në vitin 2020, jetëgjatësia u rrit me 42%.
Një shqiptar në vitin 2020 jetoi mesatarisht 77.3 vite, me rënie nga viti 2018 me rreth 3,3 muaj si rrjedhojë e rritjes së vdekjeve në moshë të re nga pandemia e koronavirusit.
Të dhënat historike mbi jetëgjatësinë në 70 vitet e fundit, tregojnë nëse përmirësimi më i madh ndodhi në dy dekadat e 1950-1970, ky tregues u rrit me 18 vite ose 33%.
Nga 54.4 vjeç më 1950 jetëgjatësia mesatare në vitin 1970 arriti në 72.3 vite. Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit.
Kjo vjen, veçanërisht, për shkak të ndryshimeve në sistemin ekonomik, duke kaluar nga ekonomia e centralizuar në një sistem të tregut të hapur i cili ka dhënë efektin e tij në lindje, vdekje, migracion, dhe sigurisht ka një ndikim në të ardhmen e popullsisë shqiptare.
Statistikat e popullsisë dhe ato mbi jetëgjatësinë janë shumë të rëndësishme për planifikime të tjera.
Është me rëndësi të dimë se sa banorë jetojnë aktualisht në vend dhe sa do të ketë në të ardhmen, në mënyrë që të mund të merren vendime më të mira në lidhje me ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe rrugëve.
Është gjithashtu e rëndësishme të dihet sa e moshuar është dhe do të jetë popullsia në vitet në vazhdim, në mënyrë që të planifikohen, për shembull pensionet apo kujdesi shëndetësor./Monitor