Nuk ishte i vetmi ndër përfaqësuesit socialistë që u përballën me ndryshimet e partisë, por ndryshe nga të tjerët, Ditmir Bushati zgjedh të reagojë, edhe pse me gjuhë diplomatike.
U shkarkua nga posti i Ministrit të Jashtëm dhe pas 30 qershorit ishte ndër ata që iu hoq drejtimi i Qarkut të Shkodrës. Veç pakënaqësive dhe qëndrimeve të shprehura në forumet drejtuese të partisë, ish-ministri i thotë dhe jashtë tyre.
Duke mbajtur profilin e kryediplomatit, Bushati sjell në vemendje këngën më të fundit të Vlashent Satës, ”Me jetu po du”. Zgjedh të theksojë mesazhet e përcjella në këngë, ku thotë se flet si një qytetar i angazhuar në interes të fateve të atdheut.
“I shqetësuar për fenomenet negative që e kanë shoqëruar tranzicionin tonë të stërgjatë. Një mendje artistike që na fton të nisim me jetu, të bashkuar e me dinjitet, duke i dhënë fund rrethit vicioz të tranzicionit e fenomeneve negative të tij, shkruan Bushati.
Në fakt, kënga në fjalë flet për dëshirën e jetës, për gëzimin e vendit, kundër paktit me Djallin për mbijetesë. ”Tash është kuptu tan marrifeti, nuk ka lind asnjë burrë shteti, Që mendon më shumë për na, sa mendon ai për veti”, është teksti i këngës.