Trajneri i kombëtares Shpresa Alban Bushi doli paraditen e sotme në një konferencë për shtyp për të analizuar barazimin në sfidën kualifikuese ndaj Turqisë si dhe dy fitoret në dy miqësoret e zhvilluara ndaj Uellsit. Bushi foli edhe për individë të veçantë siç janë dy talentet Bullari dhe Broja.
Rezultatet e fundit – “Jam i kënaqur me rezultatet, por mbi të gjitha nga impenjimi i grupit, sepse sakrifikuan në një fund sezoni të lodhshëm. Shumë lojtarë ishin të rinj, që nuk janë takuar me shumë shokë ekipi, por kanë punuar shumë mirë dhe rezultatet të japin kënaqësi.
Sulmi – “Ne jemi përqendruar më shumë në aspektin mbrojtës, duke tentuar kundërsulmin, pas eksperiencës së vjetshme, ku sulmonim shumë dhe pësonim shumë gola nga mungesa e eksperiencës. Kjo na detyron të punojmë shumë në aspektin mbrojtës, për të menduar më shumë për rezultatet. Golat që pësojmë janë për gabime naive, për dhurata, ndërsa vuajmë shumë për të gjetur golin. Këtu duhet të ndryshojmë.
Mbrojtja – “Golat e pësuar më lehtësi janë shqetësim, natyrisht. Lojtarët kanë nevojë të luajnë rregullisht në klubet përkatëse, u duhet të rriten dhe të fitojnë besim te vetja.
Kosova triumfoi në Andorrë, aty ku lamë pikë – “E kam parë atë ndeshje, por nuk më interesojnë rivalët dhe renditja. Ne u ndalëm në Andorrë, patëm probleme edhe me fushën, tani mendojmë për ndeshjen e radhës kundër Austrisë. Rëndësi ka të luajmë mirë, të mos pësojmë gola naiv. Ne punojmë për të çuar lojtarë në ekipin e parë, ky është synimi madhor.
Frika e rasteve si Durmishaj – “Unë aktivizoj lojtarët më në formë, Bullari është shqiptar dhe nuk ka arsye pse të shkojë te Greqia, por janë zgjedhje personale dhe nuk ndalojmë dot askënd. Kam biseduar me Bullarin, do të jetë për shumë kohë në kombëtare, por është ende shumë i ri, ka kohë për të menduar për ekipin A.
Superiorja prodhon – “Jam shumë i kënaqur nga lojtarët e kampionatit shqiptar, kanë bërë të pamundurën dhe kanë qenë ndër më të mirët, sidomos në Turqi. Kam grumbulluar shumë lojtarë nga kampionati shqiptar, por aq janë mundësitë, disa klube nuk i aktivizojnë të rinjtë. Nuk mund të grumbulloj lojtarë pa fund, do të detyrohem të bëj zgjedhje për ndeshjet e ardhshme.
Talentet e sulmit – “Broja e Bullari, mund të debutojnë në kombëtaren A? Është diçka e mirë që po paraqiten mirë, nëse vlejnë për ekipin A jam i lumtur, por janë të vegjël për të luajtur për ekipin A, edhe pse mund të grumbullohen ndonjëherë për eksperiencë. Janë ende tepër të brishtë për t’u ndeshur me lojtarë të mëdhenj të futbollit botëror.