Natyrisht, barazimi në Andorrë ka qenë një goditje e rëndë dhe aty është ndalur kryesisht trajneri kuqezi.
“Kundër Andorrës nuk patën mjaftueshëm kohë për të ndryshuar disa gjëra. Na u dëmtua edhe mesfushori Julian Shehu para ndeshjes. Fusha ishte në gjendje skandaloze, kërkuam anulimin e stërvitjes dhe spostimin e ndeshjes në stadiumin kryesor, ku luajti kombëtarja.
Nuk u pranua kërkesa, luajtëm në atë fushë ku na u dëmtua edhe Esat Mala një ditë përpara. Stafi e vizitoi dhe doli një tërheqje në ligamenti dhe nuk e di sa në gjendje do jetë të japë maksimumin ndaj Kukësit. Andorra është e dobët, nuk kemi justifikim, por u ndalëm edhe nga fusha e keqe dhe nga mënyra e pistë në lojë e Andorrës.
Skuadra gaboi në fillim, ndoshta kishte edhe nënvlerësim, por më pas djemtë u mobilizuan dhe e kërkuan fitoren. Nuk fituam, por dominuam ndaj Andorrës dhe pësuam dy gola për gabime amatoreske. Ekipi po luan mirë, por ajo fushë ishte katastrofë, nuk mund të luhet futboll në ato kushte dhe me atë lloj rivali, që luante dhunshëm, vononte lojën, protestonte pa fund”
NJË FITORE NË 15 NDESHJE ZYRTARE – “Unë kam evidentuar shumë lojtarë, kemi punuar shumë, Bajrami është i fundit lojtar që kemi afruar. Objektiv më është vendosur të evidentojmë lojtarë dhe t’i çojmë në ekipin A, jo thjesht të luftojmë për pikë.
MAQEDONIA, ME SHUMË SHQIPTARË – “Personalisht kam lojtarë nga Maqedonia: Ramadani, Shefhit, Zejnullai, Imeri, të cilët i kemi parë në Ligën e Maqedonisë. Edhe U19 ka disa lojtarë nga Maqedonia. Ne kemi skautë të federatës në Maqedoni që i ndjekin me kujdes kampionatet. Duhet pak kohë, Shqipëria ka lojtarë, por kanë moshë të vogël dhe nuk kanë eksperiencë për të luajtur me ekipin e parë. Bare, Seferi, Manaj e të tjerë janë gati për ekipin A, probleme kemi vetëm në repartin e mbrojtjes, prej vitesh, sepse gjithë prindërit shqiptarë i duan fëmijët mesfushorë e sulmues. Po punojmë për të rregulluar mbrojtjet, sepse bëjmë gafa që rivalët nuk i bëjnë.
KRITIKAT DHE AKUZA E FARUK SEJDINIT PËR QOKA TE U21 – “Ne mundohemi të marrim më të mirët, nuk bëhet fjalë për qoka dhe nuk i kuptoj këto lloj akuzash, por secili ka mendimin e vet. Unë mendoj se kemi bërë mirë deri tani, pavarësisht nga barazimi në Andorra. Jam i indinjuar pak, sepse më duket se 2-3 lojtarë nuk dhanë maksimumin e vet, por duhej ta kishim fituar atë ndeshje, me çdo kusht, nuk kemi justifikim, as fushën apo dëmtimet, si Mala e Shehu. Nëse pastaj nuk marrim pikë ndaj Turqisë, duhet pranuar humbja kur rivali është superior.
SHKARKIMI – “Nuk e ndjej fare presionin e shkarkimit, jam shumë i qetë. Kemi në fokus ndeshjen e qershorit me Turqinë.
KOMBËTARJA – “Nuk e kam menduar kurrë, jam fokusuar te U21, që është privilegj për mua. Sapo kemi nisur rrugëtimin, kemi edhe shumë ndeshje përpara dhe mendoj për Shpresat. Jam optimist, do lëmë pas shumë ekipe.
ESAT MALA DHE DËMTIMI I TIJ – “Ai kishte dëmtim, të pësuar një ditë para ndeshjes në Andorra. Do t’i ndjek të gjithë lojtarët këtë fundjavë, në ekipet e tyre, sepse me ekipin kombëtar nuk mund të bësh shaka, kur grumbullohesh duhet të japësh maksimumin, edhe nëse je i dëmtuar, pa i rënë në qafë askujt, sepse një dëmtim i lehtë rrezikon të prodhojë një dëmtim të rëndë. Gjithsesi, nëse një lojtar është i dëmtuar deri të martën apo të mërkurën dhe pastaj është në 100% të premten, atëherë do të jetë shumë e vështirë që të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Debate nuk kemi pasur. E thashë që më tha që kishte dëmtim, i besoj, por mjeku thotë se me atë dëmtim është tepër e vështirë të luash 2-3 ditë më vonë.
Ekipin kombëtar U21 shumë njerëz e shohin si kalimtar, ndërsa disa trajnerë telefonojnë dhe duan që lojtarët e tyre të mos aktivizohen kur kanë ndeshje kampionati me rëndësi, diçka absurde. Lojtarët duhet të japin gjithçka për kombëtaren, sepse kur mbeten jashtë saj bëjnë gjithçka për të shkuar aty. Mund të them që në qershor dy apo tre lojtarë nuk do jenë te Shpresat”.