Grupi Suning, që ka në pronësi Interin, ka vendosur 120 milionë euro në dispozicion të merkatos së skuadrës zikaltër, për të tentuar të përforcojë ndjeshëm ekipin dhe të konkurrojë për objektiva madhorë.
Një shifër në dukje jo fort e lartë, por që mund të shkojë shumë më tepër se kaq, nëse shtohet edhe të ardhurat nga shitjet, të cilat gjithashtu do të shkojnë për të përforcuar organikën në dispozicion të Antonio Contes.
Emrat e parë të përzgjedhur nga tekniku dhe që pritet të nënshkruajnë para se të fillojë grumbullimi, janë Nicolo Barrela, Romelu Lukaku, Edin Dzeko dhe Valentino Lazaro, negociatat me të cilët kanë nisur tashmë.
Kështu për sulmuesin belg Interi po negocion me Manchester Unitedin, duke vlerësuar edhe dëshirën e vetë Lukakut, për të ulur sa më shumë pretendimet e anglezëve. Këta të fundit pretendojnë rreth 70 milionë euro, ndërsa Interi kërkon të futë në marrëveshje Icardin ose Perisic.
Sa i përket mesfushorit të talentuar Barrela, zikaltrit kanë ndryshuar strategji dhe kanë hequr dorë nga përfshirja në marrëveshje e futbollistëve të rinj. Së fundi Ausilio i ka bërë ofertën e re presidentit të Cagliarit, ku tregohet i gatshëm të paguajë 40 milionë euro kesh për mesfushorin.
Edhe me sulmuesin boshnjak Edin Dzeko ka një marrëveshje totale për të bashkëpunuar sezonin e ardhshëm, ndërsa pritet të negociohet me Romën, por verdhekuqtë nuk e kanë prezantuar ende njeriun e merkatos për sezonin e ri.
Sa i përket anësorit të Herthës së Berlinit, ai shikohet si njeriu ideal për korsinë e djathtë dhe vlerësohet shumë nga Antonio Conte, ndaj Interi pritet të kënaqë gjermanët, duke u ofruar 20 milionë euro për kartonin e Lazaro.
Megjithatë merkatoja e zikaltërve nuk do të ndalet këtu, pasi po ndiqen me mjaft interes edhe futbollistë si Rakitiç që po bën gati valixhet për të lënë Barcelonën dhe Lucas Vasquez, Marcos Asensio e Mateo Kovacic, të cilët nuk kanë vend në organikën e Realit të Madridit.
Por para se të nisë sulmin për këta emra, Interi duhet fillimisht të shesë dhe në listën e atyre që mund të largohen janë Mauro Icardi, Joao Mario, Radja Nainggolan, Ivan Perisiç, Dalbert dhe Matias Vecino.
Edhe paratë që do të vijnë nga shitjet e këtyre futbollistëve, do të shkojnë të gjitha për të përforcuar skuadrën, që këtë sezon pretendon të luajë për objektiva madhorë, si titulli kampion.