Sport Dy lojtarët e Sarrit për Juven, bonus i majmë në kontratë për...

Dy lojtarët e Sarrit për Juven, bonus i majmë në kontratë për Champions-in

Skuadra e Juventusit është pa trajner prej 28 ditësh, teksa zyrtarizimi i pasuesit të Allegrit, pavarësisht nga takimet e intensifikuara në “Palazzo Parigi”, nuk erdhi as dje. Në të vërtetë, megjithatë, Paratici dhe Ramadani po përcaktojnë detajet e fundit dhe, mbi të gjitha, presin që Chelsea të lirojë Lampard nga Derby County. Ky është një kusht i domosdoshëm për Sarrin, që më në fund të arrijë në Torino.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, mbërritja e trajnerit është planifikuar për javën e ardhshme. Sarri do t’i nisë pushimet e verës me një marrëveshje të pasur 3-vjeçare në xhep. Por jo vetëm. Sipas asaj që raportohet sot nga “Il Corriere dello Sport”, një bonus i majmë do të përfshihet në të njëjtën kontratë, në rast të fitores së Ligës së Kampioneve. Një shenjë kjo, se Juventusi beson shumë te Sarri.

Ndërkohë, sipas “Tuttosport”, trajneri ka dhënë udhëzimet mbi merkaton e verës, duke specifikuar objektivat në hyrje dhe të paprekshmit në largim. Rugani dhe Pjanic, ndër më të rrezikuarit me Allegrin, për shembull, do të jenë pika të forta me trajnerin e ri, ashtu si Bernardeschi dhe Bentancur.

Nga ana tjetër, largimi i Khedira duket shumë i mundshëm. Edhe dy besnikë të tjerë të ish-trajnerit të Juventusit, Matuidi dhe Mandzukic, janë në pikëpyetje. Ëndrrat e merkatos përfaqësohen nga Koulibaly dhe Pogba, ndërsa Manolas dhe Icardi mund të mbërrijnë te “Zonja e Vjetër”. Të dy këta janë lojtarë, që trajneri i ri i kishte kërkuar edhe në kohën e Napolit. Me fjalë të tjera, Juventusi i Sarrit është tashmë në start…