Tirana bën “harakiri” përballë Bylisit dhe praktikisht i “fal” titullit kampion Partizanit. Bardheblutë barazuan 2-2 në Rrogozhinë me ekipin ballshiot, ndërsa të kuqtë fituan 1-4 me Kastriotin në “Elbasan Arena”, duke i marrë kreun Tiranës falë avantazhit në ndeshjen e drejtpërdrejtë. Një fund “thriller” i këtij kampionati, që do të ketë ende për të shfaqur në javën e fundit.
Skuadra kampione e Shqipërisë dhe skuadra e dytë që do të presë biletën për në Kategorinë e Parë do të vendosen në javën e fundit të kampionatit.
Verdikti i vetëm përfundimtar, që dhanë rezultatet e javës së 35-të, është rënia matematikisht e Kastriotit në të Parën.
Në sfidën e zhvilluar në Rrogozhinë, dygolëshi i Hilës nuk mjaftoi për fitoren e bardhebluve, pasi skuadra ballshiote barazoi dy herë, fillimisht me Danladi, më pas me Adilin.
Sa i përket takimit të “Elbasan Arena” mes Kastriotit dhe Partizanit, të parët shënuan krutanët me Grecën, por përmbysja erdhi shumë shpejt me golat e Rrapajt e Da Silvës që në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë shënuan edhe Murataj me Sotën.
Teuta rrëmbeu vendin e katërt, që i jep mundësi të luajë në Conference League, falë suksesit 1-0 përballë Egnatias (realizloi Lorenco Vila që në minutën e tretë), ndërsa Vllaznia ndau pikët me Laçin, falë barazimit 1-1 në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë shënuan të parët me Balajn, por skuadra kurbinase barazoi me Guindo me 11-metërsh në minutën e 79-të (Vllaznia mbeti me 10 lojtarë).
Takimi i vetëm i javës së 35-të, që përfundoi me rrjeta të paprekura ishte Kukësi–Erzeni.
Në javën e fundit, Partizani, tashmë kryesues, pret Teutën, ndërsa Tirana luan në transfertë me Erzenin.