Politika Bylykbashi dorëzon projektligjin për reformën territoriale: Kërkojmë 97 bashki, 61 janë një...

Bylykbashi dorëzon projektligjin për reformën territoriale: Kërkojmë 97 bashki, 61 janë një dështim

Oerd Bylykbashi ka dorëzuar ditën e sotme në Kuvend projektligjin për reformën territoriale të propozuar nga Partia Demokratike.

Bylykbashi ka theksuar se PD kërkon një reformë të re territoriale me 97 bashki, teksa ka shtuar se ndarja aktuale territoriale prej 61 bashkish është një dështim.

Gjatë fjalës së tij, Bykykbashi nuk ka lënë pa përmendur as projektligjin e propozuar nga PD-ja për lustracionin, për të cilin ka thënë se do ta kërkojnë deri në fund miratimin e tij për të ata që ai i cilëson “kriminelët e komunizmit që çuan në varr me mijëra shqiptarë”.

Oerd Bylykbashi: Në këtë fazë të hartimit të këtij projektligji, morëm kohën për të diskutuar me kolegët. Kolegët zgjidhën që të shkonin me një projektligj të tyrin. 2 projektligjet dallojnë pak.

Edhe për ligjin e lustracionit, ne kërkojmë jo vetëm hapje të dosjeve, pro dhe të bëhet lustracion pasi të hapen dosjet. Hapësira për të dakordësuar është e plotë. PD kërkon lustracion, kërkon të jenë 94 deri në 97 bashki.

Gjykoj që të gjithë ne duhet të respektojmë interesin e komuniteteve, këtë e thotë kushtetuta. Ndarja territoritale është interes themelor i demokracisë në Shqipëri dhe ajo që kam parë është se 61 bashki janë një dështim. Asnjë numër që është afër 61 bashkive nuk është në përputhje me Kartat e Këshillit të Europës. 

Asnjë gjë që lëviz dukshëm nga propozimi 97 bashki, nuk mund të marrë mbështetjen tonë. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që i shërbejmë interesave të qytetarëve dhe jo marrëveshjeve që kanë interes diçka tjetër. 

Ne kemi kërkuar lustracionin dhe do ta kërkojmë deri në fund.

Propozojmë sot një ndarje të re territoriale, propozojmë lustracion për kriminelët e komunizmit që çuan shpeshherë në varr me mijëra qytetarë shqiptarë dhe bashkëpunëtorëve.