Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka theksuar se Samiti i Poznan duhet të përfundojë me një mesazh të fuqishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë në tetor.
Duke marrë pjesë në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor me Ministrat e shteteve anëtare të BE-së, mbështetëse të Procesit të Berlinit, Cakaj thotë që vendet pjesëmarrëse duhet të shprehen qartë në mbështetje të hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ministri në detyrë Cakaj shkruan se mbledhja në Poznan të Polonisë u përqendrua në dy tema kryesore: “Bashkimi rajonal në shërbim të procesit të integrimit evropian dhe fuqizimi i shoqërisë civile si mekanizëm i patjetërsueshëm i nxitjes së ndërveprimit rajonal”.
Ai shprehet se nismat si RYCO dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor janë duke pasur një ndikim mjaft pozitiv në procesin e pajtimit ndëretnik në Ballkan.
Në vijim, ai përshëndet dhe arritjet e tjera në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, duke shkruar: “Marrëveshja për uljen e çmimeve të shërbimeve të roaming, njohja e diplomave dhe kualifikimeve akademike dhe mbështetja e nismave të tjera në shërbim të aftësive teknologjike dhe digjitale do të kenë një efekt të konsiderueshëm në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm profesional dhe ndërveprimit të thellë doganor në nivel rajonal”.
Cakaj përfundon duke theksuar se përfshirja e shoqërisë civile në strukturat negociatore të interesit nuk është thjesht vlerë e shtuar por detyrim themelor i rrugëtimit evropian.