Nga Lutfi Dervishi
Në qendër të Tiranës, kryeqytet i njohur botërisht për kafenetë, sot e shtunë 24 shkurt 2024, një klient i pazakontë u pa të bënte xhiron e mëngjesit në barin afër Teatrit të Operas dhe Baletit, (TOB).
Nuk ishte një influencer në kërkim të pozës perfekte për rrjete sociale dhe as ndonjë turist i hutuar nga orientimet ç’orientuese të Google Map.
Jo, po të doni mos e besoni, por ishte një çakall nga ata me katër këmbë.
E tërhoqi aroma e kafesë të sapo pjekur apo shenja e wifi-së falas pranë TOB-it?
Të pranishmit që po gjerbnin ekspreson e mëngjesit, përballë krijesës me katër këmbë përjetuan një koktejl habie, frike dhe ngazëllimi.
Habi se nuk kishin parë ndonjë herë çakall. Frikë se nuk ishin të sigurtë a kishte ngrënë mëngjes? Ngazëllim se e morën si një shenjë që diçka e rëndësishme po ndodh ose do të ndodhë.
Çfarë kërkonte çakalli me kafeneve dhe kullave?
Donte të provonte edhe ai dozën e vetë të kafesë apo u afrua në TOB për audicion për një rol te “La Boheme”?
Përtej shakasë dhe ironisë që shpërtheu si zjarri në zonat ku më pas ndërtohen kulla, prania e çakallit në shesh, një ngjarje që ndodh vetëm njëherë në jetë ngriti disa pyetje serioze.
Është një fakt i njohur që çakallët janë krijesa të zgjedhura të njohura për shpirtin e egër dhe aventuresk. Por edhe aventura ka caqet e veta.
Pse erdhi pra çakalli? A kishte humbur ai rrugën apo kemi të bëjmë me një lëvizje të kalkuluar?
A ishte prania e tij një kujtesë e proverbit të lashtë shqiptar “ujku, ujku, por çakalli bën kërdinë?
A erdhi ai mu në mes të qendrës më të madhe ekonomike, politike dhe administrative të vendit të shqiponjave për të parë nëse është mbajtur premtimi për pyllin orbital sepse çakalli ka dëgjuar proverbin makabër “për fjalë, shqiptari ther djalë”?
A është çakalli viktimë e fjalëve se “ky vend është xhungël ku vepron ligji i më të fortit”?
Një tjetër variant që po përhapet me shpejtësinë e rrufesë që pason vetëtimën është se çakalli është informuar se deputetët e shumicës kanë ndryshuar ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, për t’i hapur rrugë “investimeve ekologjike”.
Ai ka ardhur për të parë me sytë e ti dhe për të shkelur me të katër putrat ambientin e ri. Ai ka dashur të provojë se si është të jetosh në të ardhmen.
Si është xhungla e betonit krahasuar me xhunglën e nënës Natyrë?
E ku tjetër më mirë se në mes të kullave mbi të cilat janë ndërtuar edhe pallate pa leje mund të provonte ambientin e ri ku do të rrojnë të lumtur kafshët me dy dhe katër këmbë.