Ish-kryeministri Sali Berisha, ka kërkuar falje për shpërndarjen e një lajmi i cili pretendonte se shefja e ONM-së Genoveva Ruiz Calavera ka ndikuar në Komisionin e Venecias për të bërë opinionin në favor të mazhorancës socialiste.
Berisha mbrëmjen e djeshme në emisionin Tempora pranoi përgënjeshtrimin e bërë nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi duke tërhequr statusin e tij dhe duke e quajtur lajmin e shpërndarë fake news.
“Statusi im bazohej në një fake news dhe unë besoj plotësisht te përgënjeshtrimi që bëri komisioneri Varhelyi që unë e vlerësoj si njeri serioz, transparent dhe një njeri që përpiqet të ndihmojë Shqipërinë me aq mundësi që ka. Nuk ka arsye të dyshoj në përgënjeshtrimin e tij. Tërheq me ndjesë statusin tim me bazë një fake news. Besoj që komentet e tjera janë të tepërta”, deklaroi Berisha.
Çfarë tha Oliver Varhelyi
Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi reagoi ashpër të hënën pas sulmeve të Berishës ndaj drejtoreshës për Ballkanin Perëndimor, Genoveva Calvera Ruiz, e cila gjithashtu drejton dhe misionin e ONM në Tiranë.
Varhelyi deklaroi se stafi i tij në Tiranë ka mbështetjen e plotë dhe se reforma në drejtësi nuk do të ndalet në Shqipëri, pavarësisht presioneve.
“Akuzat e fundit të pabaza në media dhe rrjetet sociale janë plotësisht të pabaza. Kam besim të plotë te stafi im dhe mbështes drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor, Calavera Ruiz dhe ambasadorin e BE, Soreca.
Më lejoni gjithashtu të theksoj: Reforma në drejtësi dhe vettingu i gjyqtarëve në Shqipëri është shumë i rëndësishëm dhe nuk mund të ndryshojë apo ngadalësohet pavarësisht presioneve”, shkruante komisioneri.