Lorik Cana programon kthimin në futboll, si drejtues, në vitin 2020. Ish-kapiteni legjendar i Shqipërisë në një intervistë për mediet franceze në prag të sfidës Shqipëri-Francë, që do të përurojë stadiumin e ri, siguroi se “Gjelat” do të priten si duhet nga tifozët shqiptarë, përtej asaj që ndodhi me himnin e Shqipërisë në Paris.
Franca tashmë është kualifikuar, Shqipëria është eliminuar, çfarë interesi do të ketë kjo ndeshje?
Për mua është një sfidë speciale, që vendos vendin tim përballë atij ku kam luajtur për 10 vite në nivel klubesh. Është e vërtetë që arsyeja sportive është relative, por duke lënë mënjanë ndeshjen, bëhet fjalë për përurimin e stadiumit të ri kombëtar. Do të zhvillohet një ceremoni madhështore, me praninë e një numri të madh ish-futbollistësh të Kombëtares së Shqipërisë. Është mirë që kjo po ndodh me ardhjen e kampionëve më fuqi të botës.
Pas problemit me himnin në ndeshje e zhvilluar në Paris, mos vallë Francës do t’i rezervohet një pritje armiqësore?
Jo. Isha në “Stade de France” e pa dyshim ndodhi një episod i pakëndshëm dhe shumë i pakuptueshëm për ne. Por u mbyll atje. Bëhet fjalë për një gabim njerëzor. Dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira dhe në Shqipëri ne jemi shumë mikpritës. Franca do të pritet mirë, do të respektohet dhe admirohet dhe nuk pres vërshëllima gjatë këndimit të himnit francez.
Pas pjesëmarrjes në “Euro 2016”, Shqipëria nuk po performon më. Pse?
Pas Europianit, pati ndryshim brezash. Trajneri Gianni De Biasi u largua dhe erdhi Christian Panucci, i cili nuk arriti të imponohej. Tani kemi sërish një trajner italian, Edoardo Rejan (ish-trajner i Napolit dhe Lazios). Ekipi është në ndërtim e sipër, me disa lojtarë premtues që luajnë në Serinë A. Skuadra do të jetë shumë më konkurruese pas dy apo tre vitesh.
A e ka dobësuar Shqipërinë krijimi i ekipit kombëtar të Kosovës?
Ka provokuar largimin e disa talenteve dhe e ka dobësuar Shqipërinë. Për më tepër, Kosova ka shkëlqyer në eliminatore, duke qenë në garë për kualifikimin deri në fund. Është fantastike për një vend të vogël me vetëm 2 milionë banorë.
Mendimi juaj për “Gjelat”, që nuk po e “shkelin” pulën?
Unë jam një admirues i këtij ekipi, që është i mbushur me talente të jashtëzakonshme e që drejtohet nga një fitues tashmë i provuar. Gjëja e vetme është që “blutë” duhet të kenë kujdes është ambicia. Është sfida më e madhe për Deschamps: ta mbajë ekipin të uritur, sidomos brezin e ri, që tashmë ka hyrë në histori. Kjo do ta bëjë diferencën.
Lojtarët që ju pëlqejnë në veçanti?
Njoh Steve Mandanda. Kam qenë kapiten kur ai nisi karrierën te Olimpique Marseille. Pjesën tjetër e kam takuar si kundërshtare. Adhuroj Varane, një nga qendërmbrojtësit më të mirë në botë. Kam shumë respekt për Giroud. Franca është forcuar më shumë me dy anësorët e saj, Pavard dhe Hernandez. Ata mund të bëjnë “dopietë”, të fitojnë Botërorin dhe Europianin, si në vitet 1998 dhe 2000.
Ju keni luajtur me Nantes, a e ndiqni ecurinë e “kanarinave”?
Po, ndjek ndonjë ndeshje. Skuadra është përmirësuar falë trajnerit Christian Gourcuff që mbërriti pak ditë para se të niste kampionati. Shumë shpejt arriti të lërë gjurmë me një seri rezultatesh fantastike. Atje është shumë e vështirë. Si në shumë klube të tjera, Nantes do të përpiqet të renditet në pjesën e sipërme të tabelës, pasi është e kufizuar nga kapaciteti i saj financiar. Tifozët e saj të mrekullueshëm presin shumë, si për historinë dhe për palmaresin e klubit, por që ka disa realitet ekonomike që duhen marrë në konsideratë. Nëse nuk do të ketë shumë të lënduar këtë vit, përkundër serisë aktuale të keqe, unë mendoj se klubi mund të prekë vendin e tetë. Përtej kësaj, do të jetë e vështirë.
Një pyetje të fundit për ju, me çfarë po merreni?
Jetoj mes Italisë dhe Shqipërisë. Kur e lashë futbollin, i kushtova më shumë kohë familjes sime. Prej dy vitesh kam krijuar fondacionin “Lorik Cana 5”, për të promovuar futbollin te fëmijët në vendet shqipfolëse të Ballkanit: Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi. Që të kenë struktura për t’u rritur me vlerat e sportit. E nisim me moshat më të vogla, 3 deri 7 vjeç. Deri në fund të vitit 2019 janë 1000 fëmijë të kopshteve publike që përfitojnë nga ky program.
A mendoni se do t’i ktheheni futbollit?
Parashikoj që eksperienca ime e parë si drejtues do të jetë në vitin 2020, në një klub në Europë. Nuk mund të them më shumë për momentin. Në Francë? Jo. Pse jo në të ardhmen, nëse do të më pëlqejë.