76 persona kanë vdekur nga aksidentet në pesë muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Mesatarisht janë 15 persona në muaj që humbin jetën nga goditjet fatale, ose çdo dy ditë ka një vdekje nga aksidentet.
Pjesa dërrmuese e aksidenteve shkaktohen si rrjedhojë e pakujdesisë së drejtuesit të mjetit, me 70 raste për 5 mujorin dhe vetëm 6 nga sjella e këmbësorëve. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku kishte gjithsej 78 të vdekur nga aksidentet, është ulur faji i këmbësorëve dhe është rritur ai i drejtuesve të mjeteve (në janar-maj 2017, 64 vdekje u shkaktuan nga drejtuesi i mjetit dhe 14 nga këmbësorët.
Numri më i madh i aksidenteve me vdekje ka ndodhur në Tiranë (14), Durrës (12), Shkodër (8), Elbasan (9), Fier (11).
Statistikat
Sipas INSTAT, në muajin Maj 2019 numërohen 115 aksidente rrugore, nga 155 aksidente të ndodhura në Maj 2018, duke u ulur me 25,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i aksidenteve, në pesëmujorin e parë të vitit 2019, është 583, nga 659, duke u ulur me 11,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Në Maj 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 143 persona, nga 201 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 28,9 %. Numri i të aksidentuarve në pesëmujorin e parë të vitit 2019, është 773 persona, nga 852 persona, duke u ulur me 9,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.
Në muajin Maj 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 14 persona, nga 17 persona të vdekur në Maj 2018. Në pesëmujorin e parë 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 76 persona, nga 78 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në Maj 2019, aksidentet rrugore, në 87,0 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25 –35 vjeç, duke zënë 27,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup moshe janë ulur me 24,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në pesëmujorin e parë 2019, aksidentet rrugore, në 15,4 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 30,2 %, krahasuar me një vit më parë, shkruan Monitor.