Çdo person duhet që të mbajë një maskë kur del nga shtëpia. Vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet koronavirusi sipas Presidentit të Akademisë Kombëtare të Shkencës në Britaninë e Madhe, Venki Ramakrishnan. Sipas tij, ka prova se maskat mbrojnë atë që e mban dhe personat rreth tij. Ai ka deklaruar se Britania është shumë mbrapa në krahasim me vendet e tjera për përdorimin e maskave.
Kjo për shkak të paqartësisë, shpesh të krijuar nga ekspertët. Disa prej tyre thonë që maskat nuk duhen mbajtur në ambiente të hapura. Ata përdorin si argument vendet aziatike, ku mbajtja e maskës nuk ndalon përhapjen e gripit. Kjo sipas këtyre studiuesve të jep ndjenjën e rreme të sigurisë.
Megjithatë mes shkencëtarëve ka konsensus se maskat reduktojnë riskun që një i infektuar t’ia kalojë virusin dikujt tjetër. Ramakrishnan tha në një raport për mediat se njerëzit janë skeptikë nga përfitimi i maskave, sepse “mesazhi i ekspertëve nuk ka qenë mjaftueshëm i qartë”. Edhe udhëzimet e tyre kanë qenë kontradiktore sipas Presidentit të Royal Society.
Sipas Ramakrishnan, mos mbajtja e një maske duhet të shikohet si një sjellje antisociale njësoj si drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, apo mos vënia e rripit të sigurisë.
“Nëse nuk e bëjmë rrisim rrezikun tek të gjithë, që prej punonjësve të shëndetësisë deri tek gjyshja në shtëpi”, tha ai.