Kryesore Celibashi: Nëse Basha nuk firmos, PD zyrtare rrezikon regjistrimin

Celibashi: Nëse Basha nuk firmos, PD zyrtare rrezikon regjistrimin

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha në një prononcim për emisionin Top Story në TCH se asnjë parti politike nuk mund të regjistrohet në zgjedhje, nëse deklarata e kryetarit të partisë nuk shoqërohet me nënshkrimin e tij.

“Lulzim Basha ka autorizuar Enkelejd Alibeajn, në funksionin e kryetarit të komanduar, por është përgjegjësi personale e kryetarit të zgjedhur me votë të nënshkruajë këtë deklaratë”, thotë Celibashi.

“Nuk dimë faktet, me siguri mund të thuhet se kjo deklaratë duhet të paraqitet nga kryetari i partisë politike. Nëse në gjykata rezulton një emër dhe një mbiemër i kryetarit të asaj partie, duhet të jetë nga ai nënshkrimi” – shton ai.

“Mungon dhe deklarimi formal për dorëheqjen e Bashës”, shton kreu i KQZ-së dhe “në vlerësim të këtyre fakteve, nuk ka asnjë mundësi që të injorohet kjo kërkesë e kodit zgjedhor”.

I pyetur nëse Partia Demokratike rrezikon regjistrimin, në rast se Basha nuk sjell një deklaratë të tillë, Celibashi përgjigjet: “Në vendimin e sotëm, u tha qartë se ia kthyem PD-së dokumentacionin për plotësim, duke i thënë se deklarata e partisë nuk është në përputhje me ligjin dhe parashikimet e kodit zgjedhor.

Nuk mund të jetë një autorizim i përgjithshëm. Nuk mund të pranoj që deklarata, sipas të cilit kryetar i partisë sikurse Kodi Zgjedhor ka përcaktuar duhet të mbajë përgjegjësi, të anashkalohet”.

Këtë të enjte, Lulzim Basha u njoh si kryetar i Partisë Demokratike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Të drejtën për të kërkuar regjistrimin e PD-së bazuar në dokumente zyrtare e ka Lulzim Basha”, – tha Celibashi.

Por, edhe pse mori konfirmim si kryetar, Lulzim Basha nuk mundi ta regjistrojë partinë në zgjedhje, për shkak se dokumentet e dorëzuara në KQZ kishin mangësi dhe ishin të paqarta. Pengesa më e madhe ishte autorizimi që i jepte të drejtën Enkelejd Alibeajt të përbetohen në emër të Lulzim Bashës që nuk do kryente krime zgjedhore.

Vendimmarrja nuk u prit mirë nga përfaqësuesi ligjor i Bashës, i cili paralajmëroi ankimin në komisionin e sanksioneve dhe ankesave. Vendimi pritet të kundërshtohet edhe nga Sali Berisha, i cili tashmë shpresat i ka tek aleatët për t’u regjistruar në zgjedhje.