Tetë mijë persona janë angazhuar për numërimin e të gjithë popullsisë dhe banesave, i cili pritet të nisë më 18 shtator, duke mbledhur të dhëna në 6 javë. Teksa bëri një historik të regjistrimit të popullsisë që nga krijimi i shtetit shqiptar, kryeministri Edi Rama theksoi se sot janë pjekur kushtet për një proces sipas standardeve europiane me garancinë e partnerëve dhe teknologjisë.
“Sot janë pjekur kushtet të nisim një proces me kaq rëndësi dhe ta bëjmë sipas standardeve europiane. Është një ushtrim i vështirë se duhet trokitur derë më derë, sipas planit të statistikave, në 6 javë të gjitha të dhënat që janë një nevojë absolute për shumë arsye dhe për të identifikuar sa shqiptarë dhe qytetarë jetojnë në këtë vend sot dhe sa është numri i pasurive të tyre të patundshme. Kemi dy faktorë që janë garanci; partnerët francezë, gjermanë, zviceranë të gjithë të njohur për shpirtin e tyre të saktësisë dhe me mbështetjen e BE, me një fond të konsiderueshëm ku 55% është vendosur në dispozicion nga qeveria shqiptare dhe pjesa tjetër nga këta partnerë. Faktori tjetër është teknologjia e lartë, që na jep një ndihmë të rëndësishme për të përdorur atë që përdoret në realitetet më të zhvilluara, si mjet që garanton integritetin e shifrave në kohë reale”.
Për Ramën, realizimi i censusit është edhe një angazhim patriotik.
“Armata që ka ngritur INSTAT për të lëvizur në terren për të përdorur tabletat teknologjike dhe për të këmbëngulur që të dhënat të mblidhen pa trokitur njëherë kanë nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve. Censusi ka edhe një aspekt, patriotin, se është shumë e rëndësishme për vendin tonë që numri i shqiptarëve që jetojnë në këtë vend të jetë real. Të dhënat janë konfidenciale”.
Kreu i qeverisë njoftoi se për këtë proces është bërë një punë 4-vjeçare, ku janë krijuar zonat gjeoreferuese dhe mjetet në dispozicion për regjistrimin në kohë reale.
“INSTAT është i çliruar nga politika nuk merret me qoka politike dhe nuk përgatit limonada me rritje dyshifrore të Shqipërisë me zhvillimin më të shpejtë në botë dhe as nuk bëhet shkak që Shqipëria të fshikullohet në çdo raport të BE, siç ndodhte në të shkuarën. Kjo është një punë e përgatitur prej 4 vitesh dhe ekipet hartografike në terren kanë krijuar zonat gjeoreferuese dhe me mjete në dispozicion do të bëjnë regjistrimin në kohë reale, në bazë të gjithë zonave falë përdorimit të teknologjisë”.
Duke sjellë në vëmendjen kronologjinë e censusit në Shqipëri, Rama theksoi se deri më tani janë bërë 11 të tillë, të kushtëzuar nga realiteti në të cilin janë bërë.
“Realizimi i një censusi nevojë urgjente pas pavarësisë dhe tentativat e para filluan në 1918 kur në zonat ku erdhi Austro-Hungaria nisi regjistrimi, sepse austro-hungarezët nuk mund ta fillonin pa numëruar njerëz, por mbeti përgjysmë se Austro-Hungaria u tërhoq dhe kapitulloi. Në vitin 1923 nën qeverisjen e parë të Ahmet Zogut u bë e mundur që për herë të parë të realizohej një cenusus i denjë për këtë emër dhe kjo ishte hera e parë që ne pamë në pasqyrën e shifrave që përbeheshim nga 814830 frymë. Përfundimet jetëshkurtra, por edhe të dyshimta të atij censusi përmblidhen nga Teki Selenica disa vite më pas, ku shkruan se regjistrimi i popullsisë u bë me të meta dhe parregullsi. Shumë persona e katunde nuk janë regjistruar fare. Që nga ajo kohë shteti shqiptar ka bërë 11 censuse, të kushtëzuara nga realiteti në të cilin janë bërë. Disa në kohëra kryengritjesh e mësymjesh, disa nën indoktrinimin e një regjimi totalitar dhe këto të pas ‘90 dihet se çfarë vështirësish kanë pasur dhe nën presionin e të natyrave të ndryshme”.