Aktualitet Sekuestrohen 4 mina me telekomandë në Vlorë, në pranga 51-vjeçari

Sekuestrohen 4 mina me telekomandë në Vlorë, në pranga 51-vjeçari

Policia e Vlorës vijon operacionet për parandalimin e ngjarjeve të rënda, të mundshme kriminale. Kështu, në ndërhyrjen e radhës efektivët e policisë arrestuan Petrit Ndojin, një 51-vjeçar nga Lezha. Atij iu gjetën 4 mina të telekomanduara.

Ndoji u ndalua teksa udhëtonte me makinë në rrugën “Gjergj Kastrioti”. Gjatë kontrollit në makinën e tij “Ford Fiesta”, në kroskot u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 4 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se “vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e Ndojit”.

Më herët, Policia e Vlorës sekuestroi 5 mina të tjera gjatë operacioneve “Knock Out” dhe “Knock Out 2”. Si rezultat i punës së Policisë, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, u vunë në pranga 4 shtetasit që transportonin këto mina me eksploziv C4.

Operacioni i kësaj të mërkure u përshëndet edhe nga ministri Balla.