Një qendër masazhesh, në të cilën ofroheshin shërbime seksuale me pagesë është zbuluar nga policia në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.
Uniformat blu kanë mësyrë në objektin e ndodhur në rrugën “Tish Daija” duke arrestuar pronarin e qendrës së masazheve dhe një 39-vjeçare, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë një vajzë e punësuar aty.
“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kamuflimi” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. S., 39 vjeç, dhe H. M., 39 vjeçe, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja V. V., 39 vjeçe, banuese Tiranë. Shtetasi E. S., administronte një qendër masazhesh, në “Tish Daija”, në të cilën ishin të punësuara shtetasja H. M., dhe V. V. Përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, në këtë subjekt ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.”
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar shuma parash të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, aparate celulare, dhe një automjet.