Politika “Kurrë nuk e mundim me zgjedhje Ramën në këtë situatë”, Berisha: Do...

“Kurrë nuk e mundim me zgjedhje Ramën në këtë situatë”, Berisha: Do përdorim çdo mjet të mosbindjes civile

Në një takim të zhvilluar paraditen e së shtunës në seli, “Gratë në Aksion për Shqipërinë – O sot, o kurrë”, Sali Berisha është shprehur se Partia Demokratike është sot në një betejë për jetë a vdekje, në një betejë për ekzistencën e saj.

“Ne para pak ditësh kremtuam 33-vjetorin e themelimit të partisë. Tani duhet të flasim haptas. Kjo parti, që përmbysi dhe ndau epoka dhe solli për shqiptarët epokën më të ndritur në tërë historinë e tyre, ka një trashëgimi të jashtëzakonshme. Por në qoftë se si njerëz që do u përmbahemi të vërtetave, duhet të pranojmë se ajo epokë që solli PD, ka marrë fund. Ajo nuk ekziston më në parimet e saj të lirisë përveç tregut, ajo epokë nuk ekziston më në Shqipëri”, u shpreh Berisha.

Më tej, ai tha se “Shqipëria sot është në një monizëm më të fuqishëm se ai që rrëzuam”. “Sot, në Shqipëri është vendosur një monizëm më i fuqishëm, ua them me përgjegjësi të plotë, se ai që rrëzuam në vitin 1990-1991. Sot, liritë politike të popullit opozitar janë absolutisht de facto të asgjësuara. Sot, çdo formë shteti që të pret liritë, është pushtim i brendshëm apo i jashtëm. Dhe mund t’u them se në histori janë të rralla kombet që kanë përjetuar pushtime më të shumta se ne. Por asnjëri prej këtyre pushimeve nuk ka spastruar në 9 vite, 35 përqind të kombit shqiptar. Kurrë dhe asnjëherë. Ju jeni nëna, motra, vajza, gjyshe, jeni kontributore kryesore në epokën që është mbyllur. Me shumë të drejtë mund të shtroni pyetjen: po mirë, ju thoni se epoka që solli PD u mbyll. Çfarë mbetet për ne demokratët? Gjithnjë do i përmbahemi të vërtetës. Për ne demokratët mbeten vetëm dy gjëra. Mbetet trashëgimia jonë, thashë edhe njëherë, ne sollëm epokën më të ndritur në historinë e këtij kombi. Por, ne sot këtu ku jemi, jemi para një vendimi të parë ose të dytë të jetës sonë. Të parë, për vajzat e reja që në vitet 1990 nuk kanë pas lindur akoma ndoshta, të dytë për ne të tjerët, që në vitin 1990 u ngritëm dhe rrëzuam diktaturën. Pra, për të përmbysur këtë diktaturë”, tha Sali Berisha.

“Kurrë nuk e mundim me zgjedhje Ramën në këtë situatë”,

“Edi Rama e ka të qartë si drita e diellit se në pushtet nuk mund të qëndrojë më. Duhet të jemi të vërtetë. A bëhen zgjedhje në Rusinë e Putinit? Bëhen, tani ka shpallur kandidaturën. A bëhen zgjedhje në Bjellorusi? Bëhen. A bëhen zgjedhje në Mianmar? Bëhen. Në Venezuelë bëhen. Por opozita nuk fiton. Askush nuk mendon se Putini mundet me zgjedhje. Askush nuk beson se junta ushtarake mundet me zgjedhje. Do të ishte një vetëmashtrim i madh në qoftë se mendojmë se e mundim me zgjedhje Edi Ramën. Jo! Kurrë”, u shpreh më tej Berisha.

Ai theksoi se më tej se do të bëhet gjithçka dhe do të përdoret çdo mjet i mosbindjes civile për të rrëzuar Edi Ramën.

“Do të ishte absurde nëse mendojmë se ditën e votimit do rrëmbejmë armët për të vrarë, për të asgjësuar kriminelët që nuk lejojnë votimin. Do të ishte jorealiste nëse mendojmë se ditën e votimit do të bllokojmë thasët e parave që përdoren për të blerë votat. Këto nuk mund t’i bëjmë ne, por ajo që mund të bëjmë ne është rrëzimi i Edi Ramës. Ne do përdorim çdo mjet të mosbindjes civile për të përmbysur Edi Ramën. Pra, thashë një kohë kthese reale, një kohë kthese në vendimin e çdo njeriu, të vendosësh të luftosh një diktaturë është një vendim hyjnor për nga rëndësia e tij. Por të vendosësh të luftosh një diktaturë do të thotë të mbrosh të vërtetën, i gatshëm për sakrifica, duke bërë gjithçka në funksion të saj. Kjo është ajo pra çfarë kërkon kjo kohë e dytë për ne, për përmbysjen e diktaturës së dytë.

Kjo kërkon që secila nga ju, të bëjë gjithçka me të gjithë rrethin e saj, me të gjithë njohjet e saj, se armën më të fuqishme e kemi ne. Arma më e fuqishme e jona janë qytetarët, janë e drejta, e vërteta. Duhet të bëjmë gjithçka, por duhet të prijmë vetë me shembullin tonë. A mundet diktaturat të na rezistojnë ne? Absolutisht kurrë”, tha Berisha.