Kryeministri Italian Giuseppe Conte ka firmosur një dekret që praktikisht mbyll një pjesë të mirë të Italisë së Veriut, për të frenuar përhapjen e koronavirusit në të gjithë vendin. Dekreti i “karantinës” përfshin rreth 16 milionë persona në 15 krahina: Lombardi, Modena, Parma, Piaçenca, Rexho Emilia, Rimini, Pezaro e Urbino, Padova, Trevizo, Venecia, Asti, Alesandria, Novara, Verbano-Kuzio-Osola e Verçeli.
Sipas vendimit, banorët e këtyre krahinave duhet “të shmangin absolutisht çdo lëvizje hyrje-dalje, përveç rasteve të udhëtimeve të detyrueshme për punë, ose urgjenca të tjera”. Sipas vendimit, për të siguruar zbatimin e këtyre masave mund të përdoren policia, zjarrfikësit por edhe forcat e armatosura.
Shkollat në Itali do të qëndrojnë të mbyllura deri më 3 prill. Të gjithë aktivitetet sportive profesioniste do të zhvillohen pa tifozë, ndërsa pjesa tjetër është pezulluar. Njerëzit rekomandohet të qëndrojnë të paktën 1 metër larg njëri-tjetrit, masë sigurie që duhet të respektohet edhe në bare dhe restorante, që mund të qëndrojnë të hapura nga ora 6:00 deri në 18:00.
Dekreti gjithashtu urdhëron mbylljen të paktën deri më 3 prill të të gjithë teatrove, kinemave, sallave të lojërave, atyre të basteve, dhe bingove. Shkelësit e këtyre rregullave rrezikojnë deri në 3 muaj burg.
Ndalim është vendosur edhe për martesat dhe ceremonitë mortore në zonat e përfshira. Ndërsa në qendrat tregtare mund të qëndrojnë të hapur vetëm dyqanet ushqimore.
Mediat italiane raportojnë se pas përhapjes së një drafti të dekretit në orët e mbrëmjes së të shtunës shumë njerëz nga krahinat e izoluara janë përpjekur të largohen para se ai të hynte në fuqi.
Sa i përket pjesës tjetër të vendit, qëndron në fuqi vendimi i mëparshëm për mbylljen e shkollave deri në 15 mars, si dhe anulimi i të gjitha aktiviteteve që parashikojnë grumbullime masive njerëzish.
Sipas të dhënave të fundit të raportuara nga autoritetet italiane, numri i personave të infektuar në Itali është mbi 50000, prej tyre 2651 të shëruar, 233 kanë humbur jetën, 567 në terapi intensive dhe 1843 në vetëizolim.