Shkodra është vatra më e nxehtë e përhapjes së koronavirusit pas Tiranës. Aktualisht në këtë qytet numërohen 38 të prekur dhe një person humbi jetën.
Të infektuarit u përkasin 2 lagjeve Kiras dhe Dobraç ku përhapja e virusit ka qenë me ritme të shpejta.
Por si u bë papritmas Shkodra një zonë e kuqe në hartën e përhapjes së Covid-19?
Gjithçka filloi në një ceremoni varrimi në një familje në lagjen Kiras.
Edhe pse vendi kishte të paktën 10 ditë që ishte futur në karantinë dhe nuk lejoheshin grumbullimet masive të njerëzve, në mënyrë krejt të papërgjegjshme në këtë ceremoni të zhvilluar në mes te marsit, kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm personash.
Një prej të pranishmëve, një vajzë, ishte kthyer pak ditë më parë nga veriu i Italisë ku ishte prekur nga koronavirusi, por nuk kishte shfaqur simptoma dhe nuk ishte në dijeni.
Aty ajo ka infektuar një grua e cila ia ka përcjellë më pas familjes së saj, përfshirë edhe fëmijëve.
Dy javë pas ceremonisë janë konfirmuar si të infektuar të 6 anëtarët e familjes. Ndërsa sot, në Kiras, të prekurit janë 28, të gjithë ngai njëjti burim.
Nga ceremonia e Kirasit e ka burimin edhe vatra tjetër e të infektuarve, në lagjen Dobraç.
Ka qenë një prej pjesëmarrësve në varrim që e ka përhapur tek të paktën 9 persona të tjerë.
Edhe gruaja 80-vjeçare që humbi jetën në lagjen Draçin dyshohet se ka qenë pjesë e zinxhirit të të infektuarve nga Kirasi.
Papërgjegjshmëria e këtyre individëve që thyen rregullat e karantinës e ka shndërruar Shkodrën një prej zonave më të rrezikuara nga pandemia.
Por krahas shkeljes se ligjit nga ana e tyre, shqetësues është mos zbatimi i ligjit nga policia e Shkodrës. Policia duhet të kishte ndërhyre për mos lejuar zhvillimin e ceremonisë me pjesëmarrjen e personave të tjerë, siç ka ndodhur deri tani në të gjitha qytetet e tjera të vendit, pasi grumbullimet e tilla ishin të ndaluara kategorikisht me akt normativ, si rrezik për përhapjen e infeksionit.
Shkodranët po ashtu duken pak të sensibilizuar për rreziqet. Këto janë pamjet e marra një ditë më parë në tregun e Zdrales, me të madhit në këtë qytet, raporton Tv Klan.