Komisioni Shtetëror Zgjedhor certifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut. Lidhja Socialdemokrate, LSDM, e Zoran Zaev konfirmohet fituese me 46 mandate, ndërsa VMRO-DPMNE forcë e dytë me 44 deputetë.
Konfirmohet rritja e prezencës shqiptare në parlamentin e ri të Maqedonisë së Veriut. Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 15 deputetë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 mandate, Partia Demokratike Shqiptare 1 deputet dhe Lëvizja Besa, në koalicion me LSDM, 4 mandate. Gjithsej partitë shqiptare do të kenë 32 ligjvënës.
Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve i hap rrugën formimit të koalicioneve, pasi me rezultatin aktual asnjëra forcë politike nuk mund të qeverisë e vetme. BDI ka nisur bisedimet me partitë e tjera shqiptare për të fuqizuar rolin e tyre në parlamentin e ri, teksa kërkon që për herë të parë Maqedonia e Veriut të ketë një kryeministër shqiptar. Nga dy partitë e mëdha ende nuk ka lëvizje.
Ankth për Talat Xhaferin
Sipas Kushtetutës, seanca konstitutive e parlamentit të Maqedonisë Veriore duhet të mbahet jo më vonë se 20 ditë nga dita e zgjedhjeve, pra deri në 4 gusht.
Seanca do të mblidhet nga Kryetari aktual i Parlamentit, Talat Xhaferi, por që është i shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive që nga dje, për shkak të pneumonisë dhe të simptomave të koronavirusit.
Nëse ai nuk është në gjendje të thërrasë seancë, deputetët do të mblidhen pa thirrje në ditën e 21-të pas zgjedhjeve.