Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka reaguar pasi Gjykata e Tiranës pushoi çështjen ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në lidhje me lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim. Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare. Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin “kap çfarë të kapësh”, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm”, shprehet Balla.
“Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë. Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë”, shtoi Balla.