Kryesore “Çështja Beleri i takon drejtësisë”, Rama: Jo serioze nëse Athina do të...

“Çështja Beleri i takon drejtësisë”, Rama: Jo serioze nëse Athina do të na bllokonte integrimin

Në një intervistë për ‘France 24”, kryeministri Edi Rama ka folur edhe për çështjen “Beleri”. I pyetur nëse burgosja e Fredi Belerit është një tentativë e PS-së për ta penguar ushtrimin e detyrës së tij si kryebashkiak në Himarë, Rama tha se fjala në këtë rast i takon drejtësisë.

Kreu i qeverisë theksoi se marrëdhëniet greko-shqiptare do i kthehen sërish normalitetit, pasi përndryshe sipas tij “nuk do të ishte serioze”.

Athina nuk ka pranuar të firmosë një letër të përbashkët të 27 vendeve anëtare te BE për Shqipërinë për çeljen e negociatave, për shkak të çështjes ‘Beleri’.

 Z.Rama Shqipëria juaj ka probleme për t’u anëtarësuar në Klubin evropian. Greqia po bllokon letrën e  27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve. Në maj të këtij viti, kandidati për Bashkinë e Himarës, shqiptar me origjinë greke, Fredi Beleri, që kandidonte për opozitën, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve, i dyshuar për blerje votash. Por akuzoheni ju se po e pengoni të zgjidhet kryetar bashkie për të mbajtur nën kontroll lejet në këtë zonë bregdetare në zhvillim e sipër. Si përgjigjeni ju?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje.

Rama hodhi poshtë çdo aludim se mbajtja e Belerit në qeli ka të bëjë me minoritetin grek në Shqipëri.

-Megjithatë në vendin tuaj ndodhet edhe minoriteti grek afërsisht 1% të popullsisë. A shpresoni të pajtoheni me Greqinë?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike dhe nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo!