Ndikimi i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ndihet sërish te partia republikane. Drejtuesit e kësaj force politike po luftojnë për të ardhmen, ndërsa hasin një moment kritik për dy ligjvënës republikanë.
“Nuk do të përçahemi. Nuk do të shkojmë në një situatë ku njerëzit mund të zgjedhin ndonjë anëtar të lidershipit”, u shpreh ligjvënësja republikane, Liz Cheney, e cila mbajti postin e saj në lidershipin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve pas një votimi sekret. Disa republikanë kanë lobuar që Cheney të largohej nga rangjet e larta pasi ajo votoi muajin e kaluar pro “Impeachment” për herë të dytë të ish-presidentit Trump.
Steve Scalise, ligjvënës republikan: “Ne ishim shumë të drejtë dhe të sinqertë me njëri-tjetrin, por e adresuam këtë si familje, e adresuam atë si një ekip dhe në fund të fundit, përfundimisht, punuam që të kishim një votë ku të mbanim të gjithë ekipin tonë të bashkuar.”
Ndërkohë, demokratët pritet të mbajnë një votim për ta hequr ose jo ligjvënësen Marjorie Taylor Greene nga të gjitha komisionet e kongresit. Politikania e re pro Trump nga Xhorxhia po ngjall debat teksa po merr mbështetje për disa deklarata kontroverse të bëra përpara se të zgjidhej.
Marjorie Taylor Greene, ligjvënëse republikane: “Aktualisht, kemi një pushtim islamik të zyrave tona qeveritare”.
Pavarësisht se disa anëtarë thonë se republikanët mbesin të bashkuar, analistët mendojnë se Greene po nxit mjaft tension.