Bota “Mario Draghi si italian, shpëtoi euron. Si europian do të shpëtojë Italinë”

“Mario Draghi si italian, shpëtoi euron. Si europian do të shpëtojë Italinë”

“Mario Draghi është kompetent, një punëtor i madh dhe kryesisht është i besueshëm. Si italian, shpëtoi euron. Si europian do të shpëtojë Italinë”, theksoi Matteo Renzi në një intervistë për të përditshmen franceze “Le Monde”, e cila i kushtoi një hapësirë të veçantë misionit të besuar nga Sergio Mattarella për ish-presidentin e BQE-së.

“Në fund të ‘Conte 2’ nuk duhet të flasim për falimentim. Ishte thjesht një marrëveshje që iu përgjigj nevojave të momentit. Qëllimi nuk ishte për të celebruar një martesë me dashuri mes PD dhe L5Y”, theksoi Renzi.

“Bëhej fjalë para së gjithash për të ndaluar Matteo Salvinin, që dëshironte për Italinë atë që dëshironte Marine Le Pen për Francën”, shtoi ai.

“Objektivi ynë është gjithashtu për të shtyrë L5Y të zgjedhë Europën dhe madje rezultati është fantastik”, nënvizoi Renzi.

I cilësuar si “Super Mario”, njeriu i sfidave të pamundura Mario Draghi, nisi sot ditën e parë si kryeministër i mandatuar i Italisë në përpjeke për të formuar një qeveri të re.

Ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane pranoi me rezerva detyrën e dhënë nga presidenti Mattarella duke nënvizuar se është një moment i vështirë por kjo emergjencë kërkon një reagim të duhur.

Sikundër edhe kreu i shtetit është shprehur se për të udhëhequr Italinë gjatë periudhës së pandemisë duhet një qeveri e një profili të lartë dhe një qeveri jo-politike.

Teksa kërkohet një unitet i partive, kuadri politik mbetet ende i paqartë. Luigi di Maio nga Lëvizja ‘5 yjet’ shprehet hapur kundër qeverive teknike.

Ndërkohë për kreun e Partisë Demokratike Zingaretti, Mario Draghi është figura qe mund të nxjerrë Italinë nga pasiguria.

Qendra e djathtë, me në krye Giorgia Meloni ofron abstenimin në këmbim të unitetit duke kërkuar edhe zgjedhje të parakohshme. Salvini i ‘Lega Nord’ po ashtu këmbëngul tek votimi si rrugën kryesore të zgjidhjes politike, ndërsa Berlusconi i ‘Forza Italia’ shprehet se pret të dëgjojë propozimin e Draghi.