Dy ministrat për Infrastrukturën, ai i Kosovës Liburn Aliu dhe ministrja shqiptare Belinda Balluku u ndalën tek projekti i ndërtimit të hekurudhës Durrës-Prishtinë. Ata u shprehën besimplotë se ky projekt i përbashkët do të ecë me ritme të shpejta. Në emër të të dyve, Balluku u zotua që të dyja ekipet ta përmbyllim sa më shpejt fazën e parë, atë të prokurimit të përbashkët, të specifikimeve teknike, për të pasur produktin dhe më pas për të vazhduar me projektin e detajuar, e në fund për të vijuar me fazën e tretë, atë të ndërtimit të kësaj hekurudhe.
“Nënshkrimi i këtij memorandumi me mikun tim Liburnin është një nga hapat më konkrete që do të hedhim sot në këtë mbledhje, duke qenë se të dyja qeveritë janë angazhuar konkretisht dhe financiarisht në buxhetin e tyre të vitit 2022 për të alokuar fonde përsa i përket këtij studimi të fizibilitetit për ngritjen në të ardhmen e hekurudhës, nga Durrësi në Prishtinë”.
“Ne synojmë që të bëhemi pjesë e korridoreve të lëvizjes brenda Ballkanit, por edhe pjesë e korridoreve që na lidhin me Europën. Ajo çka është më e rëndësishme në këtë projekt është nxitja dhe shkëmbimi dhe rritja e volumeve të tregtisë që do të ketë mes dy vendeve tona. Gjithashtu, u përmend Porto Romano është një projekt që tanimë ka nisur dhe sigurisht për ndërtimin e një prej porteve më moderne në Mesdhe dhe jo vetëm në Ballkan. Por unë do të ndaloj edhe në një projekt tjetër mjaft të rëndësishëm që do të zhvillohet në Durrës dhe ne shpresojmë që ta nisim brenda këtij viti që është, porti ekzistues që kthehet në një nga marinat më të mëdha në Mesdhe po edhe një pol i turizmit, që nuk do të jetë vetëm për shqiptarë të Shqipërisë, por edhe për shqiptarët e Kosovës. Kështu që hekurudha Durrës-Prishtinë nuk do të jetë e rëndësishme vetëm për transportin e mallrave, por do të lidhë edhe portin e ri brenda qytetit të Durrësit, portin e jahteve dhe gjithë zonën e ekonomike që do të zhvillohet aty me Prishtinën duke i dhënë kështu akses të gjithë qytetarëve të Kosovës”.