Parisienët u zgjuan këtë mëngjes për të parë përmasat e shkatërrimit të Katedrales së Notre Dame, një ditë pasi ajo u përfshi nga flakët dhe pësoi dëme të mëdha.
Flakët, që rrëzuan kullën dhe çatinë, arritën të viheshin nën kontroll pas thuajse nëntë orësh.
Presidenti Emmanuel Macron është zotuar që do ta rindërtojë godinën historike ndërsa qindra miliona euro janë dhuruar deri tani për këtë qëllim.
Qindra zjarrfikës heroikë u ballafaquan me zjarrin gjatë natës, për të ndalur shkatërrimin e plotë të monumentit.
Ndërkohë, ekipet garuan për të rimarrë thesaret që mund të kishin mbetur nga kryevepra 850 vjeçare gotike, të cilat kanë rëndësi të madhe fetare dhe ndërkombëtare.
Zjarri, i cili shpërtheu pasi turmat e fundit të turistëve përfunduan vizitat në orën 7 pasdite lokale, u shpall përfundimisht ‘plotësisht nën kontroll’ gati nëntë orë më vonë.
Megjithatë, pritet të zgjasë disa ditë procesi për të shuar plotësisht të gjitha pikat e mbetura të zjarrit.
Vëmendja po fillon të kthehet në atë që se çfarë mund të ketë shkaktuar fatkeqësinë.
Zyra e prokurorëve të Parisit tha se policia do të kryejë një hetim për ‘shkatërrimin e pavullnetshëm të shkaktuar nga zjarri’, duke treguar se autoritetet aktualisht po e trajtojnë flakën si një aksident tragjik dhe jo zjarrvënie apo terrorizëm.