Presidenti Ilir Meta deklaroi sot nga Pogradeci se për zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë vendin është i gatshëm të heqë dorë nga posti që mban.
Meta tha se ka dhënë të gjitha argumentat për krizën, pasi ajo është e qëllimshme. Presidenti argumenton se po cënohet rendi kushtetues.
Sipas tij, Kuvendi ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 që nuk dogjën mandatet.
Ai thekson se mund të thirren 1 milion shqiptarë mbi 18 vjeç për të miratuar reformat, por kjo nuk e zgjidh krizën.
Ai deklaroi se është i gatshëm për të lënë mandatin dhe madje të sakrifikojë vetveten, vetëm që në Shqipëri të mos instalohet një junte ushtarake.
Por çfarë ndodh, nëse Presidenti dorëzon mandatin?
Neni 91 i Kushtetutës, pika 1 thotë se kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.
Ndërsa, pika 2 shpreh se në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.
Por në një vend ku Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale dhe ku opozita ka dorëzuar mandatet në bllok, mund të ketë skenarë të tjerë më dorëheqjen e mundshme të Ilir Metës.