Videot e finalistëve të festivalit të RTSH-së (Radio televizionit Shqiptar), janë fshirë nga kanali i “Youtube” i RTSH-së, një vendim për të cilin ende nuk ka një reagim publik.
Lista e krijuar posaçërisht për këngët e këtij edicioni është bosh, ku një pjesë e këngëve janë fshirë, ndërsa disa të tjera janë bërë private.
Festivali i 58-të i këngës në RTSH u shoqërua me polemika të shumta sa i takon përzgjedhjes së këngës fituese; froni diskutohej mes konkurrentes Arilena Ara dhe Elvana Gjatës.
Nisur nga votimi i jurisë, e cila përbëhej nga anëtarë të huaj dhe vendas, fitoren e siguroi kënga “Shaj” e Arilenës. Fill pas rezultatit në fjalë, mbylljes së festivalit dhe bërjes publike të votave nga juria, reagime të shumta erdhën veçanërisht sa i takon vlerësimit të Elvana Gjatës nga anëtarja Mikaela Minga me vetëm 2 pikë.
Fakti që Gjata u vlerësua maksimalisht nga anëtarët e huaj, nxiti në rrjetet sociale krijimin e një teorie konspirative se votimi nga ana e anëtarëve shqiptarë ishte i qëllimtë për të favorizuar vetë Arilenën.