Bota Çfarë ndodhi në Timishoara 30 vjet më parë?

Çfarë ndodhi në Timishoara 30 vjet më parë?

Viti 1989 shënoi fundin e regjimit komunist në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Rumania ishte i vetmi vend ish-komunist, kalimi i së cilës në demokraci ishte i dhunshëm duke përfshirë protesta dhe përleshje në rrugë dhe vendi i vetëm ku udhëheqësit e ish-regjimit u ekzekutuan.

Shkëndija e zjarrit që dogji diktaturën e Nikolae Çausheskut u shfaq për herë të parë në Timishoara.

I ashtuquajturi “Revolucioni Timishoara” u zhvillua mes 16 dhe 20 dhjetorit 1989, ku më pas, 21 dhjetori u bë dita e parë e revolucionit të Bukureshtit.

***

Sipas vëllimit “Rumania 1989-2005. Një histori kronologjike” nga Stan Stoica, më 16 dhjetor 1989, në Timishoara nisi revolucioni që çoi në rënien e regjimit komunist në Rumani.

Në atë ditë shumë besimtarë në vend po protestonin në mënyrë paqësore pranë katedrales së reformuar në sheshin ”Maria”, kundër një vendimi të gjykatës që detyronte priftin e reformuar László Tokés të evakuohej dhe transferohej në një tjetër vend. Kjo lëvizje mori përmasa më të mëdha ku më shumë njerëz, studentë, punonjës, vendas në përgjithësi, iu bashkuan protestës. Shumë prej tyre u drejtuan për në qendër të qytetit. Dhe kështu nisi revolucioni antikomunist, në sfondin e një rënieje dramatike të standardeve të jetesës dhe rënies së sistemit komunist europian në ish-vendet socialiste, siç përmendet në veprën “Të dhëna nga historia rumune”.

Disa qindra njerëz u mblodhën në sheshin ”Maria” në një kohë të shkurtër me slogane si “Liri”, “Drejtësi” dhe duke kënduar këngën “Zgjohu rumun”. Protestuesit u drejtuan nga Komiteti i Qarkut të Partisë Komuniste Rumune (PCR). Ministra e Brendshme, milicia, ushtria, rojet patriote, zjarrfikësit ishin mobilizuar. Protestuesit u përballën me makina uji dhe gaz lotsjellës. Pati përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit. U arrestuan shumë persona. Demonstruesit u tërhoqën dhe u mblodhën përpara katedrales. Njerëzit filluan të marshonin në qytet përsëri, por edhe kësaj here u sulmuan nga forcat e rendit. Pati luftime të vërteta dhe shumë nga protestuesit u arrestuan.

Rreth orës 16:00 shumë trame u bllokuan, ku protestuesit thërrisnin “Poshtë Çaushesku!”. Një pjesë e turmës u drejtua nga qendrat e studentëve për të bindur më shumë njerëz të bashkoheshin. Deri në mesnatë, disa nga protestuesit, përfshirë këtu dhe priftin László Tokés, u rrahën dhe u arrestuan.

Në ditën e dytë, 17 dhjetor 1989, numri i protestuesve në rrugë u rrit. Atyre iu bashkuan punonjës nga fabrikat dhe uzinat. Turma bërtiste “Poshtë Çaushesku!”, “Poshtë komunizmi!”, “Mos kini frikë!”. Komiteti i Qarkut i PCR-së u mor me forcë nga demonstruesit, të cilët hynë brenda ndërtesës përmes dritareve të thyera. Këtu ndërhyri ushtria.

Me urdhër të Çausheskut, gjenerali Velicu Mihalea, nënkryetar i Drejtorisë së Kundërspiunazhit të Departamentit të Sigurimit të Shtetit (DSS), koloneli Filip Teodorescu nga divizioni i 3-të i Kundërspiunazhit dhe zyrtarë të tjerë të lartë u dërguan në Timishoara për të ndihmuar udhëheqësit lokalë dhe të vendit. Ion Coman, Sekretar i Komitetit Qendror të PCR-së u emërua komandant i vetëm për Timishoaran.

Ai shkoi në Timishoara i shoqëruar nga gjeneralët Stefan Gusa, Victor Atanasie Stanculescu, Miuhai Chitac, Florea Comsa dhe koloneli Gheorghe Radu për të koordinuar veprimet shtypëse. Në mesnatë, forcat e rendit hapën zjarr kundër protestuesve. Ata vranë dhe plagosën fëmijë, të rinj, gra dhe të moshuar. Më shumë së 20 000 anëtarë të rojeve patriote nga qytetet Dolj dhe Ramnicu Valcea u dërguan në Timishoara me trena të veçantë.

Ata mbanin shkopinj si armë dhe misioni i tyre ishte të shpërndanin turmën, por misioni dështoi. Një pjesë e tyre u bashkuan me protestuesit dhe një pjesë tjetër u ndalua në mes të rrugës dhe u kthye mbrapsht.

Në të njëjtën ditë, Çaushesku bëri një telekonferencë me zyrtarët e partive të qyteteve dhe i dha forcave të rendit urdhrin për të qëlluar demonstruesit.

“Po përballemi me një gjendje të jashtëzakonshme dhe duhet të zbatojmë ligjin për këdo që refuzon t’i përgjigjet thirrjes së organeve të zbatimit të ligjit”, kërcënoi udhëheqësi komunist.

Të gjitha fabrikat dhe institucionet e vendit vëzhgoheshin 24 orë në ditë, masat e sigurisë u shtrënguan, situata u bë më e ngjeshur, edhe shpërthyese. Skuadriljet e përbëra nga një milic, një ushtar dhe një anëtar i rojeve patriote patrullonin në rrugë.

Të shtënat e para u dëgjuan në Timishoara, ku grindjet në rrugë mes civilëve dhe ushtrisë vazhduan edhe pas mesnate dhe dyqaneve iu vu flaka. Për më tepër, në shkallët e katedrales një grup fëmijësh dhe të rinjsh nisën të thërrisnin “Poshtë Çaushesku!”, “Duam shtet të lirë!”. Ata kënduan gjithashtu këngë Krishtlindjesh, ku qindra protestues iu bashkuan dhe valëvitën flamurin rumun pa emblemën e komunizmit.

Ndërkohë, më 18 dhjetor 1989, Çaushesku nisi vizitën zyrtarë në Republikën Islamike të Iranit, njerëzit në Timishoara thyen dritaret e dyqaneve dhe ushtarët i urdhëruan të mos ndalonin së lëvizuri dhe të mos mblidheshin në grupe.

Pas dy ditësh përpjekjesh të dështuara nga milicia, ushtria dhe shërbimi i inteligjencës për të shtypur revoltën, në 19 dhjetor 1989, protestuesit pushtuan sheshin e Operës në qendër të Timishoarës. Shumica e fabrikave në Timishoara mbyllën dyert, organizuan protesta dhe bënë kërkesa. Ushtarët në rrugë bënë paqe me revolucionarët të cilët bërtitën “Ushtria është me ne!”.

Më shumë se 40 trupa të paidentifikuar të viktimave në Timishoara, u transportuan në fshehtësi nga morgu i spitalit të qarkut Timis për në Bukuresht, ku natën mes datës 19 dhe 20 dhjetor, u dogjën në krematoriumin “Cenusa”.

Në 20 dhjetor 1989 protestuesit në Timishoara krijuan grupin “Fronti Demokrat Rumun” të drejtuar nga presidenti Lorin Fortuna, zëvendëspresidenti Ioan Chis, dhe Sekretari i Përgjithshëm Claudiu Iordache me qëllim për të organizuar lëvizjen e rezistencës.

Në mëngjes dhjetëra rreshta me punëtorë të fabrikave të qytetit u drejtuan për tek sheshi ”Opera”. Rreth orës 11 të paradites gjenerali Stefan Gusa urdhëroi ushtarët të ktheheshin mbrapsht në garnizonet e tyre dhe i ndaloi të përdornin armë. Më pas, nga ora 11:00 protestuesit mbërritën në shesh ku iu bashkuan dhe ushtarët. Në orën 14:00 ushtarët u kthyen sërish në garnizon dhe autoritetet lokale dhe qendrore u dorëzuan së kontrolluari qytetin. Kështu Timishoara u bë qyteti i parë i lirë në Rumani.

Në ballkonin e operas, kryebashkiaku i Timishoaras Petre Mot, pranoi kërkesat e protestuesve për lirimin e të arrestuarve, kthimin e trupave të viktimave në familjet e tyre, dorëheqjen e Ëausheskut, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe ideve. Turma bërtiste “Nuk do të largohemi, të vdekurit nuk na lënë!”, “Sot në Timishoara, nesër në të gjithë vendin!”.

Selia e Komitetit të Qarkut të PCR-së është e rrethuar nga punëtorë, në përpjekje për të zgjidhur krizën. Udhëheqësit komunistë Emil Bobu dhe Kostandin Dascalesku u takuan me një delegacion të protestuesve. Lajmëtarët e Çausheskut, të tmerruar nga pretendimet (dorëheqje e Çausheskut dhe qeverisë) u kthyen me nxitim në Bukuresht.

Ai u kthye nga vizita zyrtare në Iran dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme.

Gjatë një fjalimi në televizion, ai deklaroi se “huliganët … shkaktuan shkatërrime të tipit fashist që nënkuptojnë destabilizimin e vendin, fundin e revolucionit socialist dhe vendosjen e sundimit të huaj. Në të njëjtën kohë, ai fajësoi për gjithçka shërbimet e huaja sekrete dhe rumunët se shitën vendin e tyre për një grusht dollarë ose monedha të tjera të huaja.

Mediet masive të kontrolluara nga qeveria nuk transmetuan ose shkruan asgjë për atë që ndodhi në Timishoara, por njerëzit e mësuan përmes transmetimeve në gjuhën rumune të radiove kryesore perëndimore dhe gjithashtu përmes transmetimeve me qendër në Budapest dhe Beograd.

I vetmi raportim jodirekt i ngjarjeve në Timisoara ishin mbledhjet e organizuara me nxitim në institucione dhe fabrika, me anë të të cilave punëtorët shprehnin vendosmërinë e tyre për të mbrojtur pushtimet e socializmit.

Më 20 dhjetor 1989, u publikua një dekret presidencial nga i cili u vendos gjendja e jashtëzakonshme në Timish, për shkak të shkeljes së rëndë të rendit publik përmes akteve terroriste, përdhosjes dhe shkatërrimit të aseteve të komunitetit. Komiteti bashkiak i partisë njoftoi organizimin e një takimi të madh, ku shpresonte se Bukureshti do të dënonte veprimet huligane të Timishoaras.