Sudani është goditur nga një valë e madhe protestash dhe dhune e ushtruar kundër demonstruesve civilë.
Shteti afrikan është në prag të një lufte civile, pasi shifra të frikshme janë shënuar kohët e fundit me mbi 70 raste përdhunimi dhe 100 të vrarë.
Njerëzit që po protestojnë paqësisht janë hasur me dhunën brutale në rrugët e Sudanit, nga milicia atje.
Pse protestohet?
Protestat nisën fillimisht në dhjetor 2018 kundër sundimit të ish-presidentit Hassan al-Bashir, i cili dha dorëheqjen më 11 prill 2019.
Demonstratat u nxitën nga vendimi i qeverisë për rritjen e çmimeve të produkteve të përdorimit të përditshëm si buka dhe karburanti, në një përpjekje për të përmirësuar ekonominë, por shpejt shpërtheu një pakënaqësi e gjerë në sundimin 20-vjeçar të el-Bashirit.
Që nga prilli, Sudani është qeverisur nga një këshill ushtarak i kontrolluar gjerësisht nga gjenerali Mohamed Hamdan “Hemeti” Dagolo, i cili ka lidhje me mizoritë e kryera në Darfur.
Këshilli ushtarak i përkohshëm pretendon se duhet të jetë përgjegjës për të mbajtur rendin dhe sigurinë në Sudan – por numri i të vdekurve tregon tjetër gjë.
Ku është Sudani?
Sudani – zyrtarisht Republika e Sudanit – është një shtet në Afrikën Verilindore.
Ai kufizohet nga Egjipti në veri, Deti i Kuq në verilindje, Eritrea në lindje. Në jug janë Sudani i Jugut dhe Republika e Afrikës Qendrore, me Çadin dhe Libinë në perëndim.
Vendi ka një popullsi prej gati 43 milionë.
Sudani Jugor u krijua si një shtet i ri në vitin 2011, por një konflikt i dhunshëm shpërtheu atje vetëm dy vjet më vonë.
Miliona vetë janë detyruar të ikin, me shumë refugjatë që jetojnë në Sudan, të tronditur nga kriza.
Sa njerëz janë vrarë?
Forcat e sigurisë kanë vrarë të paktën 124 persona në kryeqytet dhe në të gjithë vendin, sipas organizatorëve të protestës.
Deri më tani është zbuluar se mbi 700 vetë janë plagosur nga kaosi në vendin afrikan.
Spitalet në Khartoum kanë raportuar gjithashtu 70 raste përdhunimi pas sulmeve ndaj protestuesve.
Çfarë është lëvizja BLU?
Mohamed Mattar, 26 vjeç, ishte një nga të rinjtë që u vra gjatë protestave.
Studenti në universitetin Brunel të Londrës u qëllua më 3 qershor, pasi ishte duke mbrojtur dy gra nga milicia sudaneze.
Përdoruesit e mediave sociale e kanë kthyer profilin e tyre të rrjeteve sociale ngjyrë blu – ngjyra e preferuar e Mohamed – si një shfaqje solidariteti për të gjitha viktimat e goditjes.
Twitter-i dhe Instagram-i tani janë të mbushur me foto ngjyrë blu, për të nderuar kujtimet e tyre dhe për të paralajmëruar botën për dhunën e vazhdueshme.
Hashtagu #IamTheSudanRevolution gjithashtu është një trend në rritje që po ndiqet nga të gjithë ata që i bashkohen kauzës.