Sport Champions-i dhe tabuja “San Siro”, arsyet pse Interi duhet ta mposhtë Juven

Champions-i dhe tabuja “San Siro”, arsyet pse Interi duhet ta mposhtë Juven

Një sfidë nga ato që shenjojnë sezonin kundër rivalëve të përjetshëm. Jo më kot “San Siro” po shkon pranë ezaurimit të biletave për Inter-Juventus, pavarësisht se kjo e fundit nuk konsiderohet më risi.

Megjithatë, populli zikaltër këtë herë pret pikët e plota, një fitore për të vendosur në kasafortë kualifikimin në Champions-in e ardhshëm.

Vendi i tretë

Zikaltrit, pas Romës, kanë në dorë një tjetër shans për të blinduar vendin e tretë. Këtë herë kundërshtari do udhëtojë në Milano me “barkun plot” nga titulli i tetë radhazi i porsa festuar dhe me stimujt e reduktuar në minimum. Sigurisht, mbetet gjithmonë “Derbi i Italisë”, sfida më e ndier nga dy tifozeritë. Dhe zikaltrit nuk mund t’i lejojnë vetes hapa falsë sepse prapa tyre garuesit s’po dorëzohen.

Bilanci negativ

Sakaq, trajneri internist, Luçiano Spaleti, ka detyrën të thyejë dy tabu. Precedentët e tij me Juventusin nuk përcjellin aspak optimizëm: nga stoli është përballur 26 herë me bardhezinjtë, duke regjistruar 20 humbje, 5 barazime dhe vetëm 2 fitore (mesatarisht 0.38 pikë/ ndeshje).

Djeg ende disfata 3-2 e sezonit të kaluar, që u dorëzoi titullin bardhezinjve dhe thuajse nxori Interin jashtë Champions-it. Por, suksesi i fundit në Serinë A i Spaletit lë vend për shpresë dhe daton më 14 maj 2017: Roma mposhti 3-1 skuadrën e Alegrit, duke u shtyrë juventinëve me një javë festën e titullit; aspekti më pozitiv ishte blindimi i vendit të dytë që garantonte drejtpërdrejt Champions-in.

Në situatën e sotme, rasti i fundit është i paimagjinueshëm, por megjithatë do konsolidonte pozicionin e trajnerit në stolin e Interit.

Kthesë

Por, ndërkohë duhet përmirësuar një tjetër statistikë që shpjegon më së miri ecurinë: për sa u takon pikëve të regjistruara brenda fushe, Interi sot do ishte e gjashta në klasifikim (31 pikë në 16 ndeshje; 9 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje), ndërsa sipas atyre në transfertë e dyta bashkë me Atalantën, pas Juves (30 në 17 ndeshje; 9 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje).

Së fundmi, por jo për nga rëndësia, Spaleti do përpiqet të fitojë për princip: Juvja është i vetmi “big” që nuk ka mposhtur në aventurën e tij interiste.