Mbeten vetëm 90 minuta nga mbyllja e fazës së grupeve në Champions League. Ndeshja e fundit do të jetë vendimtare për 5 skuadrat që ende luftojnë për kualifikimin në turin tjetër dhe që do të plotësojnë tablonë e këtij edicioni në fazën e 1/8.
Deri më tani janë 11 skuadra të kualifikuara. Mes tyre, gjigantë si Bayern Munchen, Manchester City, Liverpool, Chelsea dhe Real Madrid, apo Paris Saint Germain dhe Manchester United. Aventurën e vazhduan edhe dy italianet Juventus e Inter, teksa ecuri surprizuese regjistruan padyshim Ajax dhe Sporting Lisbon.
Atalanta ka në dorë fatin e saj, në sfidën direkte me Villarreal. Italianët kërkojnë me patjetër fitore, ndërsa spanjollëve do t’u mjaftonte edhe një pikë në Bergamo për t’u kualifikuar.
Situatë më pak e favorshme për Milanin, që duhet të fitojë me Liverpool dhe do të mbajë një sy nga ndeshja Porto-Atletico Madrid, duke shpresuar që portugezët nuk do të fitojnë.
Pas Borussia Dortmund, edhe Barcelona është një tjetër emër i madh që rrezikon të eliminohet. Katalanasit duhet të fitojnë në ndeshjen e fundit me Bayern sepse Benfica luan me Dinamo Kiev, që është e eliminuar dhe nuk ka më asnjë objektiv.
Gjithçka është e hapur në Grupin G, ku Lille kryesuese me 8 pikë kualifikohet në rast fitoreje ose barazimi në fushën e Wolfsburg të vendit të fundit, që ka 5 pikë, apo edhe thjesht me humbjen apo barazimin e Salzburg ndaj Sevilla. Nëse Salzburg mposhtet dhe Wolfsbug fiton, gjermanët festojnë pasi janë të avantazhuar nga duelet direkte, ku kanë fituar 3-1 dhe kanë humbur 2-1.