Kryesore Chiesa i pamëshirshëm, gjiganti Gigio dhe profeor Jorginho: Tre protagonistët e Italisë

Chiesa i pamëshirshëm, gjiganti Gigio dhe profeor Jorginho: Tre protagonistët e Italisë

Axurrët kundër Spanjës vuajtën, rrezikuan, pa luajtur futbollin më të mirë që kanë, por në fund u kualifikuan. Me dëshirë dhe karakter, duke u mbështetur pas atyre që mbajtën nerva të çelikta

Stefano Cantalupi – Gazzetta dello Sport

Tenistët e thonë gjithmonë: lojtari i madh duket në ditë të këqija, të gjithë dinë të japin spektakël kur çdo gjë është e lehtë. Vlen për “Wimbledon”-in, por edhe për “Wembley”-n, tempujt e raketës dhe futbollit. Vlen edhe për skuadrën e Mancinit, që ka shkuar në finale të Europianit. Ndaj Spanjës vuajti, rrezikoi, nuk luajti futbollin më të mirë që ka, por në fund u kualifikua.

Me dëshirë dhe karakter, duke u kapur pas atyre që nuk kanë frikë as në momentet më të vështira. Bonucci dhe Chiellini, për shembull, ata kanë mijëra beteja mbi shpatulla dhe ofrojnë gjithmonë siguri. Në shëtitjen e dytë të italianëve në “Wembley”, përveç tyre, të mëdhenj ishin edhe tre “axurrë” të tjerë: Chiesa, Donnarumma dhe Jorginho, të cituar në rend kronologjik sipas momentin kur rrëmbyen skenën.

Chiesa- Dikur italianët thoshin “duhet të kesh Fede (fe)” vetëm kur notonte Pellegrini. Për herë të dytë në Euro 2020, kjo fjali është për Federicon, djalin e Enricos. Pjesa e parë e juventinit nuk shkoi mirë, dukej mbrëmja klasike e errët: i shërbyer pak, jo i kthjellët për të thyer dominimin spanjoll. Për në topin e parë vërtet të mirë, të fituar me zgjuarsi pas mbylljes së Laportes ndaj Immobiles, nuk dështoi. Me të majtën shënoi ndaj Uellsit, me të djathtën ndaj Spanjës. Fatin e ka të shkruar, por fatin edhe duhet ta kërkosh.

Donnarumma- Para dhe pas golit të Kiezës ishte një super Donnarumma. Me reflekse të jashtëzakonshme ndaj Dani Olmos në pjesën e parë, por natyrisht kopertinën e fitoi me penalltinë e pritur ndaj Moratës. Aftësitë fizike dhe teknike të portierit italian ishin sytë e të gjithëve, personalitetin e ka treguar në “San Siro” që 16 vjeç. Polemikat, zërat, titujt e gazetave: gjithçka mbetet jashtë fushës. Në kuadratin e blertë porta duket shumë e vogël kur e mbron ai. Dhe kur vendosin penalltitë, deri tani nuk ka humbur kurrë, si me Milanin, ashtu edhe me Italinë.

Jorginho- Dhe në fund Profesori. Një kandidat serioz për të hyrë në listë për “Topin e Artë”. Jorginho çoi në shtëpi spanjollët me një penallti të akullt, të fundit, duke lënë të palëvizur Unai Simon. Duket vërtet i akullt, nuk dorëzohet dhe vrapon si askush në këtë Europian (para gjysmëfinales kishte një mesatare prej 128 metrash në minutë).

Ndaj Spanjës Jorginho kishte në krah versionet më të dobëta të Barella-s dhe Verratit, ndaj dhe mesfushën “axurre” duhej ta mbante ai në këmbë, aq më tepër ndaj Busquets-Thiago Alcantara, që diçka e kanë fituar në karrierë. Në Londër fitoi një Champions, në Londër mund të festojë për një tjetër triumf të pamenduar deri pak muaj më parë. Profesori është në katedër edhe në verë.