AQUILA – Në mesin e një emergjence shëndetësore kombëtare që përballet me mungesë produktesh dhe mjetesh të nevojshme mbrojtëse për të evituar çdo formë infektimi nga koronavirus, ka nga ata që maskat i realizojnë në shtëpi, pa u ndalur, me makinë qepse që kur gdhin derisa ngryset.
Një gjest i madh solidariteti dhe humaniteti të thellë që nuk vjen nga një kompani apo nga një sipërmarrës i pasur, por nga një çift të moshuarish të dhembshur dhe energjik të Aquilas.
Ata janë Mario Tinari, 86 vjeç, e bashkëshortja e tij Maria Pia Canna, 80 vjeç, që në zemrën e një pandemie globale të paprecedentë kanë nxjerrë nga vetja gjithë kreativitetin e mundshëm dhe dijen për të realizuar sa më shumë maska të jetë e mundur. Maskat përbëhen prej materialit pambuk, kanë filtër të ndryshueshëm dhe ata kanë menduar për çdo detaj të mundshëm që ti vinë në ndihmë të gjithë komunitetit.
Prindër të dy fëmijëve, Antonio e Roberto, presidenti aktual i Këshillit Komunal të Aquilas, të martuar prej më shumë se gjysmë shkelulli dhe gjyshër të vëmendshëm, dy bashkëshortët kanë vendosur ti kalojnë ditët e tyre të izolimit të detyruar duke punuar në makinën qepëse në banesën e tyre në Coppito.
Mario e kupton më së miri gjendjen shpirtërore të infermierëve, në linjën e parë në pavionet spitalore të të gjithë Italisë për të kuruar pacientët e infektuar nga Covid 19 dhe që janë në gjendje të rëndë, sepse ai ka qenë infermier për më shumë se 40 vite, pranë spitalit psikiatrik Santa Maria të Collemaggio në Aquila.
Një jetë e kaluar pranë më të brishtëve dhe të sëmurëve, por Mario nuk ka njohur limite në shfrytëzimin e energjive të tij. Ai përpos punës së infermierit, ka qenë edhe rrobaqepës, një aktivitet që nuk e ka braktisur kurrë, edhe pasi doli në pension, ai vazhdon të qëndrojë mbi makinën qepse, edhe vetëm për pasion por edhe për nevojë si në këtë rast.
Po ashtu edhe bashkëshortja e tij Maria Pia, punonjëse e Italtel në pension, por rrobaqepëse në rininë e saj dhe në kohën e lirë, kur sëbashku me zonjën Giuseppina Carduçi, që e thërrisnin Pupetta, me krijimet e saj “vishte mirë të gjitha familjet e Aquilas”, kujtojnë fëmijët me krenari.
Duar eksperte që njohin lodhjen, rezistencën, atë të vërtetën dhe përkushtimin, “sepse më parë ishin kohë të tjera, ne jemi mësuar me fatkeqësi dhe të përveshim mëngët, kemi përjetuar luftën, urinë, pa u mposhtur kurrë” thotë Mario teksa mat copën me kujdes dhe saktësi kirurgjikale, “gjeneratat e reja janë më pak të mësuara se sa ne, por kjo emergjencë e madhe kombëtare i imponon të gjithëve të jemi të bashkuar, të fortë dhe solidar. Vetëm në këtë mënyrë do t’ia dalim”.
Maskat prej pambuku kanë një qepje ballore që i lejon atij që e vesh të vendosë filtër dhe ta zëvendësojë atë. Pjesa e zëvendësueshme është bërë me letër pjekje e papërshkueshme nga uji, është ajo që bie në kontakt me gojën dhe hundën.
Shqetësimi i Marios dhe Maria Pias është që tia dalin të kënaqin të gjitha kërkesat për maska, qindra, përveç qindra të tjerave tashmë të përfunduara dhe dhuruara. “Me këtë ritëm dhe nëse gjithçka shkon mirë – thonë ata – në dhjetë ditëshin tjetër arrijmë në gjashtëqind copë. Nëse Italia është e bashkuar mund t’ia dalë! ”./virtuquotidiane.it/