Politika Cila ishte dhurata speciale e Ramës për Thaçin në Hagë?

Cila ishte dhurata speciale e Ramës për Thaçin në Hagë?

Kryeministri Edi Rama zbuloi se çfarë i kishte çuar dhuratë Hashim Thaçit në Hagë, gjatë një vizitë të tij pak ditë më parë aty ku ish-presidenti kosovar, së bashku me ish-bashkëpunëtorët e afërt në UÇK-së, ndodhen nën akuzë për krime lufte.

Gjatë një interviste për Blendi Fevziun, i pyetur nga ky i fundit se çfarë kishte shkruar në formularin dorëzuar Hagës, Rama tha: “Më kishte marr malli”.

I pyetur nëse vizita në burg ishte gjëja e duhur, kryeministri shqiptar iu përgjigj: “Unë besoj që ishte gjëja e duhur edhe në aspektin e detyrës, por në radhë të parë në aspektin vëllazëror, miqësor, por dhe në aspektin e detyrës, besoj ishte gjëja e duhur.”

Më pas, Rama zbuloi se ç’dhuratë i ka bërë mikut të tij jo vetëm politik.

“Një arkë të madhe me libra, por nuk e mori në atë moment sepse duhet të kalonte në një proces… Çova një mori librash. Kryesisht libra që lidhen me historinë e shqiptarëve. Pastaj libra për Ballkanin dhe kështu me radhë dhe besoj se do t’i pëlqejnë. Besoj se ka lexuar ndonjë tek-tuk, por nuk besoj t’i ketë lexuar që të gjithë”.