Vetëm në dy, nga 12 qarqet e Shqipërisë nuk është regjistruar deri më tani asnjë rast i koronavirusit.
Fjala është për Dibrën dhe Gjirokastrën, ku rastet e raportuara janë zero, por edhe numri i testeve është shumë i vogël.
Për 177,846 banorë që ka qarku i Dibrës (sipas të dhënave zyrtare), të përqendruar kryesisht në qytetet e Peshkopisë, Burrelit, Klosit dhe Bulqizës janë realizuar vetëm 10 teste. Asnjë nuk ka rezultuar pozitiv.
Edhe në qarkun e Gjirokastrës paraqitet një situatë e njëjtë. Për 62,952 banorë të përqëndruar kryesisht në qytetet e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit janë realizuar 15 teste dhe asnjë nuk ka rezultuar pozitiv.
Numri më i madh i testeve për Covid-19 është në Tiranë me 1384 të tilla, e ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me 281 dhe 171.
Ndërkohë, ka arritur në 22 numri i personave që kanë humbur jetën nga Covid-19 në vendin tonë. Mesditën e së hënës një 90 vjeçar i shtruar prej 5 ditësh në spitalin Infektiv, i infektuar me Covid-19, humbi jetën si pasojë e tromboebolisë pulmonare.
Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Hasi po shënojnë rritje të madhe të të prekurve nga Covid-19. Pas Tiranës, Shkodra ka numrin më të lartë të personave të infektuar me koronavirus.
Në total numri i të prekurve ka arritur në 377.