Bota Cilat vende “spiunoi” Kina me balona?

Cilat vende “spiunoi” Kina me balona?

Rrëzimi i balonës kineze në SHBA

Pasi balona e spiunazhit kinez u rrëzua mbi SHBA, një objekt fluturues i ngjashëm është shfaqur mbi Kolumbi. Mbi cilat vende të tjera ka balona kineze?

Mbi cilat vende u shfaqën balonat kineze?

Incidenti në SHBA me balonën kineze nuk është një rast i izoluar. Balonat kineze nuk u shfaqën vetëm në hapësirën ajrore të SHBA-së. Ministria e Punëve të Jashtme kineze konfirmoi fluturimin e një balone kineze mbi Kolumbi të hënën (06.02.2023). Thuhet se balona ka hyrë “pa dashje” në hapësirën ajrore të vendeve të Amerikës Latine. Objekte të ngjashme fluturuese nga Kina u panë gjithashtu dy herë në Japoninë veriore në vitin 2020, e së fundi për një balonë të ngjashme është raportuar edhe nga Kanadaja.

A është kjo hera e parë që një objekt fluturues kinez shfaqet mbi SHBA?

Jo, nuk është. Sipas një raporti të televizionit ZDF, gjatë mandatit të Donald Trumpit si president i SHBA-së, tri balona të tilla kanë kaluar pa u penguar mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Pentagonit, objekte të ngjashme janë parë edhe vitet e fundit, por balona e fundit fluturoi mbi tokë në territorin amerikan më gjatë se zakonisht.

Si reagoi Kina ndaj rrëzimit të balonës në SHBA?

Pekini protestoi zyrtarisht pas rrëzimit të balonës. Akti “minoi seriozisht përpjekjet e të dyja palëve për të stabilizuar marrëdhëniet Kinë-SHBA”, tha në një deklarate zyrtare zëvendësministri i Jashtëm kinez Xie Feng. Pekini i bëri thirrje Uashingtonit “të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme që dëmtojnë interesat e Kinës”. Sipas Pekinit, balona është një “avion civil” që ka hyrë pa dashje në hapësirën ajrore amerikane – për shkak të “forcës madhore”.

Momenti i goditjes së balonës kineze

Cila ishte arsyeja e lëshimit të balonës?

Qeveria amerikane në Uashington beson se balona kineze e spiunimit po kryente një operacion zbulimi kundër objekteve ushtarake amerikane. Një nga arsyet për këtë është se “avioni” ndodhej pranë bazës ajrore amerikane në shtetin Montana, ku ruhen raketat ndërkontinentale me kokë bërthamore.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se futja e balonës në hapësirën ajrore të SHBA ishte “e papranueshme” dhe “e papërgjegjshme”. Me urdhër të presidentit amerikan Joe Biden, avionët luftarakë amerikanë rrëzuan një balonë mbi brigjet e Karolinës së Jugut të shtunën e kaluar (4 shkurt 2023). Ndërkohë, zhytësit po kërkojnë mbeturinat e saj, për të rindërtuar pajisjet teknike të balonës dhe për të saktësuar se për çfarë balone ishte fjala. Më 15 shkurt, në një seancë të fshehtë, Senati do të njoftohet me rezultatet e hetimit.

Balonat mund të shihen shumë qartë

Pse balonat shihen kaq qartë?

Aeroplanët janë objekte të mëdha me madhësinë sa tre autobusë. Ata zakonisht fluturojnë 24 deri në 37 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës. Edhe pse kjo është shumë më e lartë se lartësia në të cilën fluturojnë aeroplanët e pasagjerëve, të cilët rrallë tejkalojnë 15.000 metra, balona lëviz shumë më poshtë se lartësia e satelitëve që sillen rreth Tokës. Distanca e tyre është nga 200 deri në 600 kilometra. Balona kineze u rrëzua në një lartësi prej 18.000 metrash.

A janë balonat e tilla të përshtatshme për spiunim?

Po. Ato konsiderohen si një instrument zbulimi i lirë dhe praktik. Ato mund të vëzhgojnë zona të mëdha në distanca më të shkurtra dhe me imazhe me rezolucion më të lartë sesa satelitët. Balonat e pajisura me radarë dhe kamera janë përdorur tashmë për spiunazh nga SHBA dhe ish-Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Reagimet ndërkombëtare ndaj këtij incidenti?

Gjermania është e shqetësuar për tensionet në rritje midis Pekinit dhe Uashingtonit. Politikani i SPD-së, Michael Roth, beson se afera është një lloj “paragjelle e konfliktit midis Kinës dhe SHBA-së që mund të përshkallëzojë në vitet e ardhshme”.

Estonia, Kanadaja dhe Koreja e Jugut morën një pozicion shumë më të fortë për çështjen e “balonës” dhe mbajtën një qëndrim më të fortë. Ministri i Jashtëm estonez Urmas Reinsalu shkroi në Twitter se ai mbështet “mbrojtjen e sovranitetit të SHBA”. Kolegët e tij Justin Trudeau dhe Park Jin bënë deklarata të ngjashme.

Bashkimi Evropian ishte i përmbajtur. Siguria dhe mbrojtja e hapësirës ajrore janë çështje të sigurisë kombëtare dhe janë përgjegjësi e vendeve të prekura, thuhet në deklaratën e publikuar të dielën./DW