Etienne Tare ka debutuar disa javë më parë, me ekipin e dytë të Lacios. Një e arritje më vete për këtë lojtar, pasi është vetëm 16-vjeç dhe njëkohësisht futbollisti më i ri në “Primavera” të kryeqytetasve.
Flasim për djalin e Igli Tares, që duhet të punojë aq shumë për të lënë gjurmën e tij në futboll dhe të mos quhet si i biri i drejtorit sportiv.
Talenti është aty dhe koha është përpara, për të mbërritur në këtë pikë. Ashtu siç do të bënte edhe Thomas Strakosha, që tani nuk quhet më vetëm si djali i Fotos.
“Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me Etienne Tare, teka e kanë pyetur edhe për Kombëtaren që do të zgjedhë. Nëse në rastin e Rudi Vatës kishim një zgjedhje zhgënjyese për Shqipërinë sa i përket djalit të tij, nga familja Tare kemi marrë gjithmonë vetëm krenari.
Si shkon aventura tek të rinjtë e Lacios? Aty ndodhen dhe shumë lojtar shqiptarë, me kë kalon më shumë kohë?
Aventura po shkon në mënyrë të mirë. Unë jam lojtari më i ri në skuadër, luftojmë për të arritur në “Play Off” dhe këtë e kemi si objektiv. Me të gjithë lojtarët shqiptarë këtu kamë një raport shumë të mirë, ndihemi pjesë e integruar e skuadrës.
Sa shumë e pret debutimin me ekipin e parë te Lacio? Mendon se do të jetë e afërt dita?
Të gjithë e ëndërrojnë që të debutojnë një ditë me fanellën e Lacios dhe unë si shokët e mi, por e di që është shumë e vështirë kjo gjë. Duhet që të arrijë deri në atë pikë me punë dhe sakrificë.
Sa i përket Kombëtares, e ndarë mendja se kë do të përfaqësosh?
Po unë jam me nënë gjermane dhe babain shqiptar, por tradita është traditë e do më pëlqej që të luajë me fanellën e Shqipërisë.
Po sa i përket Koronavirusit, ka frikë dhe sa ka ndryshuar situata në këto kohë?
Ka frikë dhe po merren shumë masa, pasi po i dëgjojmë të gjitha e shpresoj që të gjendet një zgjidhje sa më shpejt. Edhe neve na e kanë bllokuar kampionatin këtu tek të rinjtë për këtë problem.