Botuesi Henri Çili është shprehur se pas ditëve që kaloi në burg duhet të thellojë studimet e tij në fushën e të drejtës penale, pasi e gjithë kjo i është dukur një çmenduri.
Çili u shpreh për mediat se fakti që akuzohej për ndikim tek gjyqtarët për të liruar Arbion dhe Alban Alikon, dy vëllezërit që akuzohen për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha, i duket absurditet.
“Një absurd i paimagjinueshëm, deri në kufijtë e çmendurisë. Gjithsesi ishte një provë e vështirë që më bindi se duhet të thelloj studimet e mia në fushën e së drejtës penale”, tha Çili në Përmet, pas lirimit nga burg.
Ndërsa avokati i botuesit dhe pronarit të Universitetit Europian të Tiranës, Andi Duraj, u shpreh se Gjykata e Përmetit veproi me shumë profesionalizëm duke i dhënë fund një abuzimi dhe dyshimeve që nuk qëndrojnë.
Në një prononcim për “AbcNews”, Duraj tha se sipas tij është fituar beteja por jo e gjithë lufta.