Për ekspertin e ekonomisë dhe presidentin e UET, Adrian Civici, reformat që qeveria Rama ka ndërmarrë këtë mandat kanë qenë të efektshme. Politika e taksave i ka stabilizuar treguesit buxhetorë, por shtresa e mesme është penalizuar nga taksa progresive. Ai vlerësoi si më efektiven reformën në energji, por tha se është e rëndësishme që të vijojë reforma strukturore në sektorin e energjisë në drejtim të shtimit të burimeve të prodhimit të energjisë, dhe harmonizimin e plotësimin e prodhimit të energjisë nga burime alternative.
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, tha se, reforma territoriale ishte një nga reformat apo ndryshimet më të domosdoshme për funksionimin më eficient të pushtetit lokal në Shqipëri, po shtoi se, në strukturat e pushtetit lokal ka ende mjaft elemente ligjore të paplotësuara që, në njëfarë mënyre, pengojnë funksionimin eficient të tij.
Në një intervistë për “Monitor”, ai tha se, reforma në arsimin e lartë e miratuar gati dy vjet më parë, në thelbin e saj, duke qenë e frymëzuar nga përvoja anglosaksone, synon të krijojë një mënyrë dhe formë të re të organizimit dhe funksionimit të universiteteve, që në themel të saj ka barazinë ndërmjet sektorit privat dhe atij shtetëror, por dalja e VKM-ve dhe udhëzimeve do të bënin një zbatim më eficient të saj.
Reforma e taksave. Sa efekt pati sistemi progresiv dhe aksioni antiinformalitet në zhvillimin e përgjithshëm dhe veçanërisht në rendimentin fiskal?
Reforma e taksave, apo për të qenë më të saktë “ndryshimet fiskale” të lançuara në fushatën elektorale të vitit 2013 nga Partia Socialiste, dhe më vonë të aplikuara në programin qeverisës kishin dy qëllime:
Së pari, rritjen nga 10 në 15% të taksave e tatimeve për sigurimin e të ardhurave më të mëdha për buxhetin e shtetit, në mënyrë që qeveria të kishte mundësi më të mëdha për financime publike, shlyerjen e borxheve të brendshme e të jashtme, etj.;
Së dyti, vendosjen e taksës progresive vetëm për të ardhurat nga paga në emër të një “arsyetimi apo vlere me karakter politik e ideologjik”, “ata që fitojnë më shumë duhet të paguajnë më shumë”. Mendoj se rritja në masën 15% e taksave pati efekte pozitive në të ardhurat në buxhet dhe ndikimi i saj në bilancet e biznesit apo nivelin e konsumit nuk pati ndonjë efekt të dukshëm negativ, ndërkohë që i dha më shumë hapësirë e frymëmarrje shpenzimeve publike dhe sidomos pagesave për borxhet e vjetra të trashëguara.
Taksa progresive e zbatuar vetëm për të ardhurat nga paga, lehtësoi disa kategori punonjësish, sidomos ata me të ardhura të ulëta dhe shumë të ulëta, por që goditi rëndë rreth 12000 persona që kanë paga të larta, por që përbëjnë kategorinë profesionale më cilësore të vendit, grupin më të shkolluar e intelektual që të ardhurat i ka vetëm nga puna. E theksoj këtë se tatimi mbi fitimin mbeti në nivelin 15%, ndërsa taksa progresive për pagat e larta shkoi deri në 23%. Përfitimet dhe të ardhurat në buxhet nga taksa progresive ishin tejet minimale.
Aksioni antiinformalitet është një nga veprimet apo objektivat pozitivë për t’u vlerësuar, qoftë si vullnet politik, qoftë si domosdoshmëri për normalizimin e ekonomisë dhe financave. Rezultatet në këtë drejtim kanë qenë pozitive, aq më tepër që statistikat dëshmonin për një nivel informaliteti 40-45%, çka e vendoste Shqipërinë në vendet shumë problematike në këtë drejtim. Megjithatë, më shumë se sa politika antiinformalitet, ne mbetëm në më të shumtën e rasteve në masa apo aksione antiinformalitet.
Në shumicën e rasteve, dukej se mbizotëronin masat që ndikonin më shumë në fiskalizimin e ekonomisë se sa në formalizimin e saj. Në përgjithësi mendoj se ky ka qenë një nga aksionet e suksesshme të qeverisë në këtë mandat 4- vjeçar.
Reforma e energjisë. Sa e efektshme rezultoi sipas jush?
Energjia është sektori ku nevoja për ndërhyrje energjike e eficente ishte më e madhe. Vjedhja e energjisë, humbjet kolosale në rrjet, koncesione të debatueshme për eficencën e tyre, çmime shitje e importi të çrregullta, investime të pamjaftueshme, etj., ishin disa nga indikatorët që kërkonin me urgjencë ndërhyrje energjike në këtë sektor.
Në këtë kuadër, 4 vite më pas mund të themi se rezultatet e reformave në energji janë pozitive dhe mjaft të prekshme. Humbjet në rrjet janë ulur ndjeshëm, pagesat e energjisë janë shtuar duke arritur nivele mjaft të vlerësueshme, investimet në prodhimin dhe infrastrukturën e energjisë janë rritur, tregu i energjisë duket se po menaxhohet më mirë.
Megjithatë, nëse do flasim për reforma të rëndësishme apo reforma strukturore në sektorin e energjisë, duhet të shtojmë nevojën për reforma që çojnë në shtimin e burimeve të prodhimit të energjisë, në harmonizimin e plotësimin e prodhimit të energjisë nga burime alternative, përmirësimin e strukturës së përdorimit të energjisë ndërmjet konsumit familjar dhe konsumit industrial të saj, uljen e kostos dhe çmimit të energjisë, etj.
Ndërtimi i TAP-it dhe mundësitë potenciale të Shqipërisë për t’u furnizuar me gaz, apo siç quhet ndryshe procesi i gazifikimit të Shqipërisë, që përbën një ndër arritjet tona më të mëdha në fushën e energjisë, kërkon reforma e masa të shpejta për të krijuar kushtet e mundësitë që gazi të përdoret shumë më masivisht si në përdorim familjar, ashtu dhe përdorim industrial. Deri tani, në këtë drejtim është bërë shumë pak.
Reforma territoriale. Sa e dobishme ka rezultuar në zhvillimin e rajoneve?
Reforma territoriale ishte një nga reformat apo ndryshimet më të domosdoshme për funksionimin më eficient të pushtetit lokal në Shqipëri. Dobishmëria e saj nuk ka nevojë për komente.
Sistemi i ri i ndarjes territoriale me një numër shumë më të kufizuar njësish vendore e bën qeverisjen lokale më eficiente financiarisht, më të lehtë nga pikëpamja organizative, dhe më konkrete në aplikimin e projekteve të ndryshme të zhvillimit, planet dhe strategjitë e zhvillimit lokal.
Mendoj se faza e parë e kësaj reforme që rezultoi me ndarjen e re territoriale, me gjithë debatet dhe kundërshtimet, shpesh të drejta të opozitës për kritere elektorale e politike të marra në konsideratë, ishte hap mjaft pozitiv. Kombinimi i ndarjes së re territoriale, përfshirë këtu dhe gjithë kompletimin ligjor dhe funksional të tyre, me krijimin dhe funksionimin e rajoneve, mbyll ciklin e plotë “formal” të reformës territoriale.
Ndërkohë, funksionimi eficient dhe rezultatet pozitive që priten prej saj nuk ndodhin nëse kjo paketë e parë ndryshimesh “territoriale” nuk plotësohet me kuadrin ligjor e institucional të nevojshëm. Në strukturat e pushtetit lokal ka mjaft elemente ligjore të paplotësuara që në një farë mënyre pengojnë funksionimin eficient të tij. Në këtë këndvështrim kjo reformë ka ecur ngadalë duke penguar apo duke shtyrë për më tej rezultatet e planifikuara dhe shpresuara në momentet e hartimit të saj.
Reforma në klimën e biznesit (ambienti i taksave, reformat rregullatore, procedurat). A kanë krijuar një ambient komod për bizneset?
Me gjithë luhatjet e saj të ndjeshme, sidomos po t’i referohemi treguesit më të fundit të Bankës Botërore për klimën e biznesit në Shqipëri, mund të thuhet se rezultatet kanë qenë pozitive. Përgjithësisht, mjaft nga procedurat dhe rregullat që kanë lidhje me biznesin janë thjeshtuar apo grupuar si shërbime në një sportel të vetëm, një sërë masash me karakter rregullator janë miratuar, mjedisi i taksave është më transparent dhe më pak agresiv me biznesin.
Nga pikëpamja strikte e klimës së biznesit mund të thuhet se Shqipëria ka ecur mirë në këto 4 vitet e fundit, natyrisht duke mbajtur rezerva për cilësinë dhe saktësinë e zbatimit të tyre konkret në raport me bizneset. Aktualisht, për bizneset është një situatë më lehtësuese për pagimin e taksave, për lejet e ndërtimit, për hapat dhe proceduarat e funksionimit të një biznesi, për llojin dhe sasinë e dokumenteve të domosdoshme, etj.
Reforma në arsim. Çfarë efektesh dha, çfarë pritet?
Gjatë këtij mandati, reforma në arsim u përqendrua në dy drejtime madhore:
Reformën në arsimin e lartë të konkretizuar me miratimin e ligjit të ri për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor; dhe reformën në arsimin profesional, si një domosdoshmëri për rritjen e cilësive të burimeve njerëzore dhe përmirësimin e tregut të punës.
Reforma në arsimin e lartë e miratuar gati dy vite më parë, në thelbin e saj, duke qenë e frymëzuar nga përvoja anglosaksone, synon të krijojë një mënyrë dhe formë të re të organizimit dhe funksionimit të universiteteve, që në themel të saj ka barazinë ndërmjet sektorit privat dhe atij shtetëror, rritjen e konkurrueshmërisë, cilësisë dhe standardeve të universiteteve e kombinuar kjo me rritjen maksimale të autonomisë së tyre, rritjen e mundësisë për financime alternative, riformatimin e ofertës universitare në funksion të nevojave bazë të ekonomisë dhe stadit të zhvillimit të vendit e aplikuar, kjo duke mbajtur maksimalisht në konsideratë studentët e talentuar, studentët me nevoja sociale dhe degët apo profesionet me interes kombëtar.
Reforma e arsimit të lartë nënkuptonte dhe një sërë aktesh nënligjore, VKM apo udhëzime, të cilat do të bënin të mundur zbatimin eficient të saj. Por, në këtë drejtim, zbatimi i reformës ka rezultuar i ngadaltë, sidomos në krijimin e agjencive të reja mbështetëse të saj, akteve nënligjore, udhëzimeve, etj.
Në ngadalësimin e zbatimit të reformës mendoj se ka ndikuar dhe politizimi i tejskajshëm i saj, në disa raste edhe nga vetë anëtarë të koalicionit qeverisës që e kanë votuar atë.
Reformat për tregun e punës, a kanë qenë të efektshme?
Tregu i punës në Shqipëri vazhdon të jetë një hallkë delikate në tërësinë e faktorëve që kushtëzojnë zhvillimin ekonomiko-social të vendit. Përgjithësisht vazhdon të jetë një treg problematik dhe deri diku kaotik.
Reformat apo politikat kryesore në tregun e punës kanë synuar tre elemente të rëndësishëm të tij:
Së pari, rritjen e transparencës dhe gjithëpërfshirjes së ofertës së punës nëpërmjet shtimit të zyrave të punësimit, panaireve të punës, panaireve të tjera të ngjashme, etj.;
Së dyti, plotësimin dhe rregullimin e legjislacionit të specializuar, d.m.th. hartimin dhe miratimin e një sërë ligjesh, udhëzimesh apo VKM që kanë të bëjnë me sigurinë dhe fleksibilitetin e statusit të të punësuarit, me mbrojtjen në punë, me të drejtat e punës, me pagat dhe sigurimet, etj.; së treti, me reformat dhe politikat në sferën e rritjes së kompetencave dhe aftësive profesionale të burimeve njerëzore, sidomos për grupmoshat e reja që kanë dhe nivelin më të lartë të papunësisë./Monitor