Kreu demokrat Lulzim Basha ka ngritur akuza të forta në mbledhjen e kryesisë së PD-së, ku ka ngritur disa pyetje në lidhje me emrat e përfshirë në firmosjen e formularëve për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së.
“Kush më shpjegon çfarë pune ka Suel Çela, që mban peng kryetarët e grupseksioneve për të firmosur formularët? Çfarë pune ka Qifja me Kuvendin e PD? Po Tom Doshi? Kush e shpjegon?”
Në përgjigje të tyre ka reaguar kreu i këshillit kombëtar të PD-së Edi Paloka i cili i thotë që këto fakte t’i dërgojë në Prokurori dhe të mos i tregojë në këtë mbledhje.
“Çoji në prokurori kryetar, mos na i trego këtu”, u shpreh Paloka.
Por duke e quajtur këtë si mungesë të një përgjigjeje, Basha theksoi se interesi i Suel Çelës, Tom Doshit apo Aqif Rakipit janë vetëm për të përçarë PD-në.
“Jam aq i përgjegjshëm sa të mos fus prokurorinë në parti, por ajo që dua të them është se gjithçka mund të ishte shmangur, nëse Sali Berisha do të kishte mbajtur fjalën dhe të mos e kishte përfshirë PD ne konfliktin e tij personal me SHBA. PD ka institucione, ka statut dhe nuk ka për të patur struktura paralele. Më 11 Dhjetor, mund të ketë tubim, por jo kuvend të PD. Paloka foli për mungesë vemendje nga unë për masakrën zgjedhore. Si i shërbehet kauzës së masakrës zgjedhore, kur të njëjtët persona janë thirrur, janë shtyrë apo u është shkelur syri nga Edi Rama për t’u përfshirë me formularët e PD? Nuk më dhatë asnjë përgjigje çfarë interesi ka Suel Çela? Po Qifja? Çfarë interesi ka Tom Doshi përveçse për të përçarë PD?”.
Kreu demokrat i dërgoi një mesazh ish-kryeministrit Berisha në lidhje me planin e tij, që sipas Bashës nëse Foltorja e Sali Berishës është t’i bëjë shantazh PD-së me sabotim të çfarëdo zgjedhjesh që kemi përpara, po ju them se e ka shumë gabim. Është një fund realisht i dhimbshëm për përmasat e figurës së tij dhe kontributit të tij jo thjesht për PD, por për Shqipërinë.
“Nëse plani i “Foltores”, i Sali Berishës është t’i bëjë shantazh PD-së me sabotim të çfarëdo zgjedhjesh që kemi përpara, po ju them se e ka shumë gabim. Është një fund realisht i dhimbshëm për përmasat e figurës së tij, e kontributit të tij jo thjesht për PD, por për Shqipërinë e tij. Shantazh PD-së se “po erdhën zgjedhjet, ne do t’ju dëmtojmë, që ju të mos arrini rezultat përballë Edi Ramës, ky është fundi. Uroj që të paktën këtë hap të mos e hedhë!”, ka deklaruar Basha.