Pritja e gjatë për marrëveshjen e koalicionit i pati lodhur të gjithë. Por me marrëveshjen e arritur tani CDU-ja pagoi një çmim të lartë, mendon Katharina Kroll.
Nga Katharina Kroll
E paskëtaj: edhe kjo: Socialdemokratët arrijnë gjithçka nga potenciali i tyre. Partia, e cila pësoi humbjen historike në zgjedhjet parlamentare me rezultatin 20,5% të votave, siguron ministritë kyç financat, poliitkën e jashtme, si dhe atë të punës e çështjeve sociale. Çfarë suksesi në negociata. Kush drejton Ministrinë e Financave e mund të hapë e të mbyllë rubinetin, drejton të gjithë politikën e qeverisë federale. Kush drejton Ministrinë e Jashtme, luan në skenën ndërkombëtare dhe korr për këtë brohoritje në Gjermani. Ministrat e Jashtëm janë gjithmonë politikanët më të preferuar në vend. E SPD-ja ka shumë nevojë tani për figura të dashura drejtuese. Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale do të thotë për socialdemokratët, që ata mund të formësojnë konkretisht politikën në terren, gjë që është shumë e rëndësishme për klientelën e tyre: e pra drejtësinë sociale.
CDU ka kancelaren por çfarë tjetër?
Çfarë i ka mbetur unionit konservator CDU/CSU? CDU-ja ka kancelaren – e veç kësaj asgjë. Asnjë nga ministritë vërtetë të rëndësishme. Përveç kësaj nuk ekziston as ndonjë projekt i madh i përbashkët i unionit. Po, Angela Merkel ia ka dalë, që më në fund të ketë një marrëveshje koalicioni. Ajo ka vepruar sipas interesave të vendit dhe stabilitetit. Kjo në botën e jashtme vlerësohet, por brenda vendit ajo nuk duket si një fituese.
Angela Merkelit – në fakt si një mjeshtre në tryezën e bisedimeve ajo respektohet në mbarë botën – iu desh në këtë rast që t’i drejtonte bisedimet e koalicionit nga një pozicion esktremisht i dobët. Përpjekjet për aleancë me liberalët dhe ekologjistët dështuan bujshëm në fund të nëntorit. Tani koha nuk priste më. Në nivel ndërkombëtar Gjermania ndërkohë mund të veprojë me kufizime dhe popullsia është e nervozuar nga pritja e gjatë për një qeveri të re. Kësaj i shtohen edhe sulmet nga brenda në parti, madje është spekuluar edhe për pasardhës. SPD-ja ishte dhe është shpëtimi i fundit për Merkelin. Por SPD-ja ka tani edhe lakun në fyt në pritje të votës nga baza – rezultati i votimit mund të jetë mjaft i ngushtë e kësisoj me një potencial mjaft të madh presioni. E pra një bazë aspak e mirë kjo për sukses të madh të kryetares së CDU-së.
Kësaj i shtohet edhe fakti, që Angela Merkel definitivisht ndodhet para mandatit të fundit të saj. Ajo duhet ta shfrytëzojë këtë për të rregulluar gjetjen e një pasuesi. Por cili prej kristiandemokratëve do të mund të profilizohet për këtë dhe në cilën ministri?
SPD tani ka mundësinë për një fillim të ri
Krejt ndryshe qëndron puna në SPD. Martin Schulz e ka kuptuar. Ai tërhiqet nga posti i kryetarit të partisë. Kredibiliteti i tij është cënuar, ai ka bërë gabime strategjike. Partia e tij do të një fillim të ri dhe e ka tani atë. Një sinjal i fortë ky ndaj anëtarëve dyshues.
Për vete Martin Schulz ka siguruar postin e ministrit të Jashtëm. Një punë, që ai gjithmonë e ka pasur në fokus. Ai është një politikan i skalitur europian, politika e jashtme është tema e tij. Ai i njeh të mëdhenjtë në botën e madhe, ai i njeh konfliktet ndërkombëtare, ai e ka përdorur për vite me radhë mjeshtërinë e diplomacisë. Kur Martin Schulz flet për Europën, atëherë ndihet, që atij i përvëlon zemra për këtë. Në politikën e brendshme shpesh nuk ka ndodhur kështu. Lufta e tij elektorale e tregoi këtë.
Tani anëtarët e SPD-së duhet të miratojnë marrëveshjen e koalicionit. Kjo do të thotë pritje edhe katër javë. Negociatorët e SPD-së e në radhë të parë Martin Schulz me vendimin e tij e kanë bërë më të mudnshëm miratimin.
Angela Merkel në këtë ditë është për të katërtën herë kancelare, por ajo i është afruar me një hap edhe më të madh lamtumirës së saj./DW