Në një atmosferë poetike fundviti u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve kombëtare të Letërsisë.
Në ceremoninë e organizuar ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shkrimtarë, poetë, njerëz të njohur të artit, etj.
“Një zgjedhje e vështirë, shenjuar me emra të rëndësishëm të letrave shqipe. Falënderime jurisë për përkushtimin dhe rëndësinë që i dhanë këtyre çmimeve, që s’janë veçse mirënjohja jonë për të gjithë ata që na e bëjnë jetën më të bukur. Faleminderit Mehmet Kraja, Elda Gjana, Ardian Ndreca, Ylljet Aliçka, Shezai Rrokaj”, theksoi Margariti.
Për këtë vit kishte vetëm një risi, çmimi honorifik, i cili u dha për herë të parë.
“Çmimi honorofik ‘Muza’, i jepet këtë vit poetit Petrit Ruka me motivacionin: Poet i thellësive, i dashurisë dhe dhimbjes që me kalin e bardhë të poezisë tejkaloi çdo kufi kohor e hapësinor”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Vepra më e mirë në prozë u shpall ajo e shkrimtares Flutura Açka që ja kushton të Birit të saj.
Kryetari i jurisë, për çmimet kombëtare, njëkohësisht dhe kryetar i Akademisë së Kosovës, ndau çmimin për veprën studimore më të mirë, që ju dha akademikut Artan Fuga. Vetë Mehmet Kraja u ndal tek rëndësia e këtyre çmimeve që organizohen çdo vit nga Ministria e Kulturës.
“Çmimet letrare nuk e bëjnë letërsinë e as nuk vendosin hierarkinë e vlerave, janë vetëm një mjet ndihmues në popullarizimin e vlerave letrare”, tha Mehmet Kraja.
“Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve” nga shkrimtarja Persida Asllani fitoi çmimin e letërsisë më të mirë për fëmijë.
“Prilli i hidhur” i Bardhyl Londos u shpall vepra më e mirë poetike e 2020-ës, ndërsa çmimin e përkthimit më të mirë e mori Granit Zela, “Lepur Vrapo” nga autori John Updike.
Çmimi për librin më të mirë studimor:
Artan Fuga, “Origjinat”, botimet “Papirus”
Çmimi për librin më të mirë për fëmijë:
Persida Asllani, “Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve”, botimet “Pegi”
Çmimi për vëllimin më të mirë poetik:
Bardhyl Londo, “Prill i hidhur”, botimet “Onufri”
Çmimi për përkthimin më të mirë:
Granit Zela, “Lepur vrapo” nga John Updike, botimet “Albas”
Çmimi për librin më të mirë në prozë:
Flutura Açka, “Biri”, botimet “Skanderbeg books”