Italia po përballet me orën e saj më të zymtë, ndërsa po lufton kundër krizës së koronavirusit të ri, deklaroi kryeministri italian, Giuseppe Conte duke cituar ish-kryeministrin britanik, Winston Churchill.
“Gjatë ditëve të kaluara u kujtova çfarë kisha lexuar nga Churchill: është ora jonë më e zymtë, por ne do t’ia dalim”, i tha Conte gazetës ”La Repubblica”.
Dje, Agjencia italiane e Mbrojtjes Civile tha se numri i rasteve të koronavirusit ishte 7 375 persona dhe numri i vdekjeve 366.
Asnjë vend tjetër përveç Kinës nuk është përballur me një numër kaq të lartë vdekjesh.
Në fundjavë, qeveria e Contes kufizoi udhëtimin brenda dhe jashtë Italisë Veriore, përfshirë Milanon dhe Venecian, në një përpjekje për të frenuar shpërthimin.
Në intervistën e tij, Conte u zotua për masa më të ashpra për të shmangur pasojat.
Ai gjithashtu tha se ishte e vështirë të bëheshin parashikime për fundin e kësaj krize.
Në Itali, disa figura të profilit të lartë politik janë testuar pozitiv për koronavirusin, përfshirë drejtuesin e Partisë Demokratike, Nicola Zingaretti dhe kreun e ushtrisë, gjeneralin Salvatore Farina.
Vetë Conte ka rezultuar negativ.