Sport Conte: Eriksen ka pasur shumë shanse në fushë, nuk mund të luajë...

Conte: Eriksen ka pasur shumë shanse në fushë, nuk mund të luajë si Pirlo

 

Interi do të rikthehet në fushë nesër pasdite për t’u përballur me Torinon, ndërsa më pas e pret një tur force me plot 9 ndeshje të tjera deri para Krishtlindjeve, ndërsa Antonio Conte doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp ku vlerësoi faktin që ka në dispozicion thuajse të gjithë futbollistët.

Ju pret një tur force deri në fund të vitit, si është gjendja e skuadrës?

Përjashto dy futbollistët e prekur nga koronavirusi dhe Pinamontin e dëmtuar, të gjithë të tjerët janë në dispozicion për ndeshjen e nesërme. Normalisht që disa kanë luajtur shumë e të tjerë më pak ne përfaqësueset e tyre, ndaj duhet të llogaritim mirë formacionin për nesër.

Çfarë dëshiron të shohësh nga skuadra? Është e vështirë ta nisësh me një ndeshje ndaj Torinos dhe një tjetër ndaj Realit tre ditë më vonë?

E dinim që në fillim që kalendari do të jetë shumë intensiv deri në fund të vitit, por edhe vitin e ardhshëm. Situata është e vështirë për të gjithë skuadrat që luajnë në Europë, jo vetëm për Interin, ndaj duhet ta përballojmë situatën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shpresuar që të kemi edhe pak fat.

Situata e Eriksen është krijuar për shkak të ambientimit? Mendoni se mund të luajë edhe në pozicione të tjera të fushës?

Sa i përket diskutimit për njohuritë mbi gjuhën italiane, nuk e di, por mund të them se Eriksen ka pasur mundësi të shumta në fushë, madje shumë më tepër se disa të tjerë. Unë i marr vendimet për të mirën e Interit dhe kur ta shoh të arsyeshme, do ta aktivizoj nga minuta e parë, ose në ndeshje e sipër.

Shumë mendojnë se Interi është skuadra më konkurruese në kampionat…

Ne i dimë mirë avantazhet dhe defektet tona, ndaj kemi për detyrë që të vijojmë të punojmë shumë, për t’u përmirësuar vazhdimisht. Kemi bërë një rrugëtim të mirë deri tani, por e dimë që kemi ende shumë punë për të bërë.

A mendoni se kampionati do të jetë i ekuilibruar deri në fund të sezonit?

Unë shpresoj shumë që të mbetet i ekuilibruar, si në luftën për titull, ashtu edhe zonën Champions, Europën e mbijetesën. Në një kampionat të ekuilibruar dalin në pah anë të tjera, si puna e bërë, organizimi dhe mentaliteti i futbollistëve. Megjithatë vitet e tjera nuk ka qenë kaq i ekuilibruar.

Çfarë ju bën të besoni që Interi mund të niset shumë më mirë këtë herë?

Nëse shohim rezultatet, atëherë nuk kemi bërë mirë, pasi shpesh kemi shpërdoruar shumë dhe kemi parë të na ikin fitoret nga duart. Edhe mbrapa jemi treguar më bujarë sesa duhet. Megjithatë sa i përket lojës, dua të tregojmë sërish të njëjtën gjë, pasi thuajse në të gjithë ndeshjet kemi dominuar, jemi shfaqur superiorë dhe kemi krijuar shumë raste.

A mund të luajë Eriksen si Pirlo dikur te Juventus?

Për mendimin tim jo, sepse aftësia kryesore e Eriksen janë gjuajtjet me të dyja këmbët, që i ka shumë të mira. Nëse e vendosim para mbrojtjes, ia heqim këtë mundësi dhe sigurisht që do ta penalizonim shumë. Gjithsecili ka mendimin e tij, por në këtë rast vlen ai i trajnerit.